Ngjarja në Elbasan, lihet në burg Paplekaj, lirohen të akuzuarit e tjerë

Gazetarja e Euronews Albania, Aida Topalli raportoi nga Elbasani ku në Gjykatën e këtij rrethi po zhvillohej seanca për masën e sigurisë ndaj 11 personave të arrestuar për ngjarjen e ndodhur katër ditë para 25 prillit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër qytetarë. Nga kjo seancë u vendos lënia në burg e Arbër Paplekaj ndërkohë që arrestimi i personave të tjerë u konsiderua i paligjshëm dhe u mor masa “detyrim paraqitje”.

Të dyshuarit:

Marketing

1. Arbër Paplekaj, për tre akuza: vrasje, vrasje e mbetur në tentativë e punonjësve të policisë dhe heqje e lirisë me dhunë;

2. Arjan Hoxha, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;

3. Pavlo Vuksani, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;

4. Emiljan Prenga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;

5. Juljan Mataj, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;

6. Erald Guga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;

7. Erjon Demushi, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;

8. Taulant Ymeri, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;

9. Roland Xhepa, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;

10. Nuredin Kasma, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;

11. Eldjo Beko, arrestuar “në flagrancë”, akuzuar për pengim të hetimeve;

Ndërkaq, Arbër Papleka, personi që dyshohet se ka qëlluar mbi Pjerin Xhuvanin ka dhënë dhe deklaratën e tij ku është shprehur i shqetësuar për fatin e fëmijëve të tij.

“Unë jam betuar në Kushtetutë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, më vjen shumë keq për humbjen e jetës së një personi por ju lutem kujdesuni për katër fëmijët e mi pasi nuk e di gjendjen e tyre,” – u shpreh Papleka teksa theksoi se nuk kishte asgjë tjetër për të shtuar.

“Unë nuk do të jap shpjegime, por kam kërkuar ditën e ndalimit këqyrjen dhe ekzaminimin mjeko-ligjor të një plage të dukshme të cilën e kam në dy gishtat e fundit të dorës së djathtë. Ky fakt është i pasqyruar dhe në regjistrin e mjekut të dhomave të paraburgimit i cili ma ka parë këtë dëmtim dhe e ka regjistruar, por unë nuk e kam lënë të ma mjekojë për shkak se nuk ishte bërë këqyrja dhe ekzaminimi mjeko-ligjor. Kërkoj aktualisht që të kryhet dhe ekzaminimi mjeko-ligjor. Kaq kam për të thënë. Procesverbali pasi u lexua dhe u gjet i rregullt u firmos pa vërejtje,” – shtoi efektivi.

Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, mbeti i vrarë pas një përplasje me armë ku u përfshinë disa persona. Në ngjarje mbetën të plagosur katër të tjerë – Eltjon Bodinaku 32 vjeç, Emiljan Prenga, 39 vjeç, Pavlo Vuksani 50 vjeç – një prej të cilëve punonjësja e policisë Xhensila Sota 27 vjeçe.