Një ngjarje e rëndë është raportuar nga një qytetar ditën e sotme. Në lagjen Matiqan të Prishtinës, një foshnje e porsalindur është gjetur e braktisur në rrethana çnjerëzore, transmeton Insajderi.
Detaje për Insajderin ka dhënë zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci i cili konfirmoi se mjekët kanë konstatuar vdekjen e foshnjës.
“Sot rreth orës 11:00, policia ka pranuar informatën lidhur me dyshimet për një foshnje të braktisur në afërsi të deponisë së mbeturinave në rrugën “Qëndresa” në Prishtinë. Të gjitha njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se foshnja e porsalindur është pa shenja jete”, tha ai për Insajderin.
Borovci shtoi se trupi i pajetë është dërguar në IML.
“Përderisa trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, me seriozitet është duke u trajtuar rastin dhe ka iniciuar një hetim mbi vdekjen”.
Policia ka bërë thirrje për bashkëpunim me qytetarët për rastin.
“Ftojmë këdo që ka informacion lidhur me ngjarjen të kontaktojë direkt Policinë”.
Lidhur me rastin për Insajderin janë deklaruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilët kanë konfirmuar se kanë nisur hetimet.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Pokrurori kujdestar është njoftuar lidhur me rastin aktual, është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore për çështjen në fjalë”, kanë deklaruar nga prokuroria teksa kanë shtuar se për më shumë informacione do të njoftohemi në vazhdimësi.