Ngjarje tragjike ka tronditur mëngjesin e sotëm Gostivarin. Një burrë 65 vjeçar ka therë me thikë dhe më pas edhe më sëpatë bashkëshorten e tij 60 vjeçare. Alsat mëson se pas këtij akti makabër, ai e ka njoftuar djalin e tij i cili ndodhet ën kurbet dhe menjëherë është vënë në arrati. Rastin në polici e ka njoftuar djali tjetër i tij.
Në lagjen Banjishnicë 1 në Gostivar, 33 vjeçari V.I. nga Gostivari, ka denoncuar se në njërën nga dhomat e shtëpisë, ka gjetur nënën e tij të vdekur ku si i dyshuar për këtë vrasje është përmendur emri i babait të tij, i cili për momentin është në arrati – tha Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB-së.
Banorët e kësaj lagje thonë se janë tronditur nga ngjarja. Thonë se jetojnë në një lagje të qetë ku nuk ka pasur asnjëherë probleme.
“Si lagje këtu probleme nuk kemi pasur, s`di si ta komentoj. Ngjarja është e rëndë, të bësh vrasje në këtë mënyrë është shumë e keqe. E kemi njohur, njeri i qetë përditë merrej me blegtori, kishte kafshë”.
“Njeriu në sëpatë ta vret njeriun e vetë ajo është shumë e rëndë. Shumë e rëndë është secili njeri që e merr vesh tronditet”.
“E dhimbshme është shumë. E trishtueshme”.
Motivet e ngjarjes tragjike nuk dihen, ndërkohë policia është vënë në kërkim të kryerësit të këtij akti të rëndë.