Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Memaliaj. Tre persona u vranë, dhe sipas Euronews.al, ky ishte një atentat.
Objektiv i atentatit, sipas medieve shqiptare, kanë qenë pjesëtarët e familjes Kalemi të cilët ndodheshin në lokalin e një të afërmi të tyre pranë bashkisë së qytetit.
Dyshohet se atentatorët kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi, duke lënë të vdekur Shyqo Kalemin dhe kanë plagosur rëndë vëllanë e tij Artur Kalemi.
Si pasojë e të shtënave kanë mbetur të vrarë dhe kamarieri i lokalit dhe një klient.
Mediet shqiptare kanë raportuar se si erdhi deri te ky atentat.
Shyqo Kalemi është babai i Adriatik Kalemit, të afërm të Aleksandër Sadikaj, i cili mbeti i vrarë në atentatin e ndodhur me tritol te rrethrrotullimi i Saukut në vitin 2022.
Dyshohet se pas ekzekutimit të Aleksandër Sadikaj, Adriatik Kalemi, mund të ketë pasur gisht në organizmin e vrasjes së biznesmenit nga Saranda, Edmond Papa në shenjë hakmarrje për të afërmin.
Pas vrasjes së biznesmenit, në një hark kohor prej disa muajsh, Adriatik Kalemit i janë bërë dy atentate për ta eliminuar fizikisht.
Në muajin gusht ai u qëllua me breshëri plumbash në ishullin e Paksos në Greqi, ku kishte shkuar me pushime mefamiljen, por mundi t’i shpëtonte mrekullisht vdekjes pasi u plagos rëndë.
Më pas sërish në muajin dhjetor ai u tentua të eliminohej në burgun që ndodhej në Greqi, ku u qëllua në arterien kryesore me mjet prerës nga një i burgosur egjiptian.