Ngjela dhe Danaj: Serbia u krijua përmes krimit antishqiptar, koha për Shqipërinë Natyrale, SHBA s’do lejojë plan rus

Në kulmin e debatit të ndezur për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, të shumtë janë ata që mendojnë se ka ardhur koha për krijimin e Shqipërisë Natyrale. Mjaft personalitete shqiptare kërkojnë që Shqipërisë t’i rikthehen kufijtë e vitit 1912, ndërsa theksojnë se shteti serb u krijua si pasojë e luftërave dhe sulmeve kundër shqiptarëve.

Marketing

Avokati Spartak Ngjela, përmes një postimi në rrjetet sociale, komentoi deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç se nëse Serbia nuk merr territorin nga Kosova, atëherë do të nisë lufta. Sipas tij, lufta e Vuçiç nuk është diçka reale sepse çështjen e kanë në dorë amerikanët, të cilët e dinë shumë mirë se Serbia u krijua nga krimi antishqiptar.

“Vuçiç në Francë deklaroi: ose Serbia merr territorin nga Kosova, ose luftë për të marrë Kosovën nën Serbinë. Domethënë do të ripushtojë Kosovën si në vitin 1913. Fakti që kërcënon, nuk është në politikë por në frikë dhe në iluzionizëm. Vuçiçi është i rënë në iluzionizëm. E ka gënjyer më shumë politika ruse. Por asgjë nuk do të bëjë dot.

Atëherë, cila është kjo luftë që do të bëjë Vuçiç? Është pa dyshim, lufta me mullinjtë e erës, se luftën me NATO dhe Amerikën e ka humbur në 50 ditë: është e ditur tashmë se Milosheviçi i tij u dorëzua vetëm me bombardime. Sot e gjithë politika amerikane e di si të provuar që shteti serb është formuar me një krim antishqiptar. Kurse amerikanët me presidentin e tyre Bill Klinton e ndërprenë procesin kriminal antishqiptar serb pas 150 vjetësh”, tha Ngjela.

Sipas avokatit, planet ruse në Ballkan nuk do të kenë sukses sepse një gjë të tillë nuk e lejojnë NATO dhe SHBA.

Spartak Ngjela
“Pyetja kryesore që ngrihet në këtë çështje, është kjo: kush e ka në dorë sot sovranitetin e Kosovës? Atë e ka USA dhe Bashkimi Europian. Dhe këta, vërtet mendoni se do t’i nënshtrohen Rusisë kundër procesit proshqiptar? Ky në fakt tani dihet që është një proces që e ka nisur politika amerikanë në Ballkanin Perëndimor kundër një shteti kriminal si Serbia. Kjo nuk mund të ndodhë”, deklaroi Spartak Ngjela.

Koha për Shqipëri Natyrale

Në lidhje me idenë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh reagoi dje edhe historiani Koço Danaj. I njohur ndryshe si ideatori i Listës për Shqipërinë Natyrale, në një reagim në rrjetet sociale, Danaj theksoi se pikërisht ky moment duhet shfrytëzuar për të rifituar kufijtë si në vitin 1912.

Duke iu kundërpërgjigjur edhe një komenti të ardhur pas një interviste të dhënë për këtë temë, Koço Danaj theksoi se qëndrimi i tij është i njohur: krijimi i Shqipërisë Natyrale.

“Një mik nga Mitrovica më bëri një vërejtje pasi kishte parë intervistën time të fundit mbi të ashtuquajturën “korrigjim” të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij unë e kisha tepruar me kufijtë Toplicë-More dhe Tivar-Prilep ose me kufijtë Preshevë-Prevezë dhe Durrës-Shkup sipas Kuvendit të Vlorës 1912. Zotëri i kujtdo partie qofsh. Nëqoftëse flasim për korrigjim të kufijve atëherë unë shfaq qëndrimin tim gati 12-vjeçar. Thjesht përsërita qëndrimin tim. Në të kaluarën na copëtuan Fuqitë e Mëdha. Kjo dihet nga të gjithë. Sot kur një pjesë e Fuqive të Mëdha e duan këtë, pse të mos e shfrytëzojmë në favor të kombit tonë?”, u shpreh Koço Danaj./Mimoza IBRA/Sot.com.al