Ngrirja e “Balancuesit”, VLEN reagon ashpër ndaj Gjykatës Kushtetuese

VLEN reagon ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për fillimin e
procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ngrirjes së të
ashtuquajturit balancues. Ky vendim është frymëzuar nga nevoja e dukshme
e strukturave kriminale të pushtetit të kaluar për të krijuar probleme
ndëretnike dhe për të destabilizuar marrëdhëniet e brendshme në shtet.
Duam ta njoftojmë opinionin se të gjithë gjykatësit, pa përjashtim ose
çfarëdo përkatësie, janë zgjedhur me votat e BDI-së në mandatet e
mëparshme. BDI-ja ka mbështetur të gjithë ata që kanë nisur procedurat
kundër të ashtuquajturit balancues. VLEN tashmë po punon për zgjidhjen e
problemit të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucione, por
në mënyrë adekuate të sistemuar dhe të kodifikuar. VLEN do ta zgjidhë
këtë problem me një ligj të ri, që tashmë është në proces të
përgatitjes.
Kujtojmë se parimi i përfaqësimit të barabartë dhe të drejtë është i
garantuar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nuk
mund të kontestohet apo anulohet as nga Gjykata Kushtetuese. Për më
tepër, në dhjetëra, ndoshta edhe qindra ligje që rregullojnë
funksionimin dhe punën e institucioneve individuale, është i garantuar
përfaqësimi i shqiptarëve.
Vendimi i sotëm nuk do të ndryshojë asgjë për të drejtat e shqiptarëve,
por tregon qëllimet e këqija të atyre që i zgjodhën këta gjykatës në
Gjykatën Kushtetuese. BDI-ja nuk i zgjidhte problemet e shqiptarëve,
sepse nuk kishte kohë. Ata ishin të përkushtuar ndaj bizneseve të tyre,
tenderave, kazinove, qendrave tregtare dhe kompanive të ndërtimit.
BDI-ja ishte e zënë duke kryer krime.

Marketing