Disa prodhime higjienike dhe 5-6 produkte bujqësore, do të jenë në listën e prodhimeve me çmime të ngrira në treg, gjatë kësaj jave. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, paralajmëroi se një propozim i tillë do të shqyrtohet në seancën e të mërkurës në qeveri. Ngrirja e çmimeve të pemëve dhe perimeve përveç supermarketeve do të përfshijë edhe tregjet e gjelbra. Kovaçevski dhe Bekteshi gjatë vizitës në një supermarket në Shkup për të parë nëse respektohen çmimet e ngrira të produkteve theksuan se nuk do të tolerojnë që dikush të pasurohet në kurriz të qytetarëve.
“U bëj thirrje odave ekonomike dhe kompanive që të ulin çmimet e produkteve bazë, për shkak se Ministria e Ekonomisë dhe institucionet në përgjithësi i ndjekin çmimet në bazë ditore duke filluar nga çmimi i importit që kryesisht paraqiten në kuadër të doganave të RMV-së deri drejtpërdrejtë në markete, andaj marzhat të cilat nuk janë logjike të kenë kompani të ndryshme në kohë krizash, nuk do të tolerohen nga Ministria e Ekonomisë dhe nëse ka nevojë edhe dy herë në javë do të sjellim vendime të tilla.”, – deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Do të vazhdojmë edhe më tutje të miratojmë masa të tjera dhe nuk do të lejojmë pasurim të askujt në kohë të krizës. Kërkoj mirëkuptim nga përfaqësuesit e kompanive, nga biznesmenët dhe tregtarët .Qeveria e RMV-së ndihmonte gjatë viteve të krizës që kur filloi pandemia, krizës energjetike, lufta në Ukrainë. Shtrijmë dorën e stabilitetit për bizneset, tani kërkojmë ta kthejnë të mirën dhe zgjatjen e dorës nga ana e tyre.”, – theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Ndërkohë, edhe përkundër rekomandimeve të Qeverisë dhe ngrirjen e çmimeve të disa produkteve bazë, Inspektorati i tregut ka konstatuar shkelje dhe parregullsi në teren. Brenda 5 ditëve janë realizuar 500 kontrolle në teren.
“Kemi shkelje ku nuk respektohet vendimi për ngrirjen e çmimit të bukës, i cili minimum duhet të jetë 450 gram dhe të shitet deri 33 denarë. Kishte shkelje ku pasha nuk përputhej me çmimin. Kishte raste kur bukë me 33 denarë nuk kishte në rafte. Kemi 160 inspektorë dhe është numër i vogël për të mbuluar e gjithë këto kontrolle. Pas mbarimit të procedurave do të publikojmë emrat e kompanive që nuk kanë respektuar rekomandimet e qeverisë sa u përket ngrirjes.”, – u shpreh drejtori i Inspektoratit të tregut, Goran Trajkovski.
Bekteshi njoftoi se në përfundim e sipër janë edhe analizat sa i përket rikthimit të tarifës së lirë të energjisë elektrike gjatë ditës.