Ministria e Ekonomisë dhe Punës në Maqedoninë e Veriut sot do të parashtrojë deri te Qeveria vendimin me të cilin propozohet që të ngrihen marzhet tregtare në 10% për mbi 100 grupe të produkteve.
Pasi që të pranohet kjo masë në seancën urgjente të qeverisë, që u paralajmërua edhe nga kryeministri Hristijan Mickoski, dhe u publikua në Gazetën Zyrtare, marzhi nuk mund të jetë mbi 10% për produktet elementare ushqimore siç janë buka, mishi, pemët, perimet, orizi, fasulja dhe produktet e konservuara. Gjithashtu në këtë listë janë edhe produktet higjienike siç janë detergjentet si dhe ushqimi për foshnja dhe produkte tjera të patjetërsueshme që janë pjesë e nevojave themelore të qytetarëve. Nesër do të realizohet edhe konkluzioni i tretë i Qeverisë rreth çmimeve. Përndryshe masa për ngrirjen e marzhit është e kufizuar dhe do të vlej deri më 30 prill të këtij viti.
“Ajo që ka të bëjë me zgjidhjen afatgjate ku nesër do të kemi takim me ministritë dhe institucionet relevante që janë të përfshirë në këtë proces dhe do të kemi vendim afatgjatë që të kemi çmime të qëndrueshme, që çmimet të jenë të qëndrueshme në treg”, tha Besar Durmishi – ministër i Ekonomisë dhe Punës.