Nikollovski në krye të qeverisë teknike?

Pas deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev, se në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinos, do të tërhiqet nga funksioni më 3 janar, në opinion filluan kalkulimet se zëvendës i tij do të jetë ministri aktual i punëve të brendshme, Oliver Spasovski. Megjithatë burime partiake nga LSDM, për TV21 thonë se me shumë gjasa si kryeministër teknik do të emërohet sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupço Nikollovski. Sipas burimeve, Spasovski duhet që të mbetet në Ministri si zëvendës ministër, si dhe ministrja për punë dhe politikë sociale, Milla Carovska. Nga partia në pushtet, LSDM, thonë se vendimi do të sillet në seancën e Këshillit Qendror të partisë.

Marketing

“Kemi kohë, tani sapo ka mbaruar takimi i liderëve, me shumë gjasa duhet të caktohen të gjitha procedurat partiake, që është seanca e Këshillit Qendror. Kemi shumë kohë deri më 3 janar, që të mendojmë mirë, që ta diskutojmë këtë çështje”, theksoi Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.

Edhe nga opozitarja VMRO-DPMNE-ja, thonë se është herët për emra, por megjithatë burimet partiake thonë se tani për tani përmendet emri i Antonio Milloshovskit, për ministër teknik për punë të brendshme. Megjithatë, burimet e njëjta shtojnë se kjo do të varet nga fakti nëse Spasovski do të jetë kryeministër teknik, por nëse mbetet në MPB si zëvendës ministër teknik, atëherë ky opsion bie për shkak se vlerësojnë se Milloshovski nuk do të mundet ta marr autoritetin.

“Këtu nuk bëhet fjalë për zgjidhje individuale, nuk bëhet fjalë për luftë për pushtet, por bëhet fjalë për parime dhe për të mirën e shtetit dhe qytetarët Qëllimi ynë ishte që të luftojmë dhe arritëm marrëveshje për zgjedhje të cilat do t’i zbatojë qeveria teknike”, deklaroi Igor Janushev, sekretar i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Sipas Marrëveshjes së Përzhinos nga viti 2015, mes 4 partive politike, zgjedhjet i zbaton qeveria teknike pas dorëheqjes së kryeministrit. Këtë pozitë e mban partia në pushtet e cila propozon kryeministër teknik. Opozita i merr vendet e ministrave të punëve të brendshme dhe për punë dhe politikë sociale, ku përveç ministrave aktual, emërohen ministra dhe zëvendës- ministra shtesë. Partia opozitare merr edhe tre zëvendës- ministra: për financa, bujqësi dhe shoqëri informatike. Herën e fundit kur Maqedonia kishte kryeministër teknik ishte në janar të vitit 2016 kur në atë funksion u emërua Emill Dimitrov pasi paraprakisht dha dorëheqje ish kryeministri Nikolla Gruevski.

Marketing