Presidenti i Ukrainës konfirmoi nisjen e evakuimit te 100 civilëve të parë nga uzina e çelikut Azovstal në Mariupol. Rusët publikuan edhe pamje për të cilat thanë se janë autobusët e parë me civilë që largohen nga uzina në Mariupol.
Zëdhënës humanitar i OKB-së, Saviano Abreu, tha për “Associated Press” se operacioni po bëhej në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe në koordinim me zyrtarë ukrainas e rusë.
Rreth 100,000 vetë besohet se janë ende në Mariupol, ndërkohë rreth 1 mijë civilë dhe rreth 2 mijë luftëtarë ukrainas, ndodhen brenda fabrikës së çelikut të epokës sovjetike, e vetmja pjesë e qytetit, që nuk është pushtuar nga rusët.
Suksesi i misionit në Mariupol varet nga Rusia dhe forcat e saj në një seri pikash kontrolli, përpara se të mbërrijnë tek ato ukrainase. Grupi i parë që u evakuua pritet të takohet me ukrainasit në Zhaporizhia, tha Zelensky.
Banorët e larguar nga zonat e pushtuara nga Rusia tregojnë se automjetet e tyre janë qëlluar me armë. Ukrainasit kanë akuzuar forcat ruse për sulmet në korridoret e evakuimit.
Mariupoli, qytet-port në detin Azov ka pësuar bombardimet më të ashpra dhe mbetet një objektiv kyç për shkak të vendndodhjes së tij strategjike, pranë Gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e pushtoi në vitin 2014.