Nis intervistimi i katërt i Hashim Thaçit

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka arritur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë ku do të intervistohet, për të katërtën ditë me radhë, nga prokurorët e kësaj zyre.

Ai nuk u deklarua për media, derisa akoma nuk dihet nëse procesi i intervistimit do të marrë fund sot, apo do të vazhdojë edhe nesër.

Marketing

Në tri ditët e kaluara, ish-Drejtori Politik i UÇK-së është intervistuar secilën ditë për plot gjashtë orë, njofton Klan Kosova.

Në dy ditët e fundit ai nuk u deklarua për media as para dhe as pas intervistimit, derisa një gjë të tillë e bëri vetëm në ditën e parë të tij në Hagë.

Pas intervistimit të parë gjashtëorësh, ai ka thënë për mediat se ka dëgjuar shkëmbime të teknaliteteve të ndryshme mes avokatit dhe prokurorëve.

”Ishte çështje sqaruese teknike, në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të Prokurorëve për UÇK-në, kështu që do të vazhdojë nesër”.

Në ndërkohë, po në ditën e parë, ish-Drejtori Politik i UÇK-së ka folur edhe para se të futet brenda Zyrës së Prokurorit të Specializuar ku ka ripërsëritur që askush nuk mund ta rishkruajë historinë.

Thaçi, në mesin e brohoritjeve të shqiptarëve që kishin dalë ta mbështesin, tha se ky është çmimi për Pavarësinë.

“Sot jam këtu për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe luftuar – një Kosovë të pavarur bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e radhës dhe t’ia dalë me sukses për djalin tim, familjen, njerëzit dhe vendin tim”.

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për lirinë”.

Në afërsi të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë ka pasë edhe sot, ashtu sikur vazhdimisht, bashkatdhetarë – që dolën ta mbështesin Hashim Thaçin – me flamurin e UÇK-së në duar, duke brohoritur dhe kënduar këngë patriotike, si dhe me parulla që e kundërshtojnë Gjykatën Speciale.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor publikoi propozim-aktakuzën ndaj ish-Drejtorit Politik të UÇK-së Hashim Thaçi dhe ish-kreut të SHIK-ut Kadri Veseli.

Propozim-aktakuza u bë publike pa një konfirmim paraprak nga gjyqtari i procedurës paraprake, praktikë që nuk ndodh në drejtësinë ndërkombëtare.

Por, u tha se Prokurori i Specializuar e gjykoi të domosdoshëm nxjerrjen e njoftimit publik për, siç thuhet, shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thacit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara.

Në ndërkohë, Hashim Thaçi ka vazhduar ta mbajë postin e presidentit. Ai është zotuar se do të japë dorëheqje nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet.