Niset grupi i parë i haxhilerëve

Grupi i parë i haxhilerëve nga Maqedonia e Veriut është nisur për në Vendet e Shenjta për të kryer kushtin e pestë të fesë Islame, Haxhin, raporton AA. Për të përcjellë grupin e parë të haxhilerëve të cilët u nisën në ora 02:05 sipas kohës lokale, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ishte edhe kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir Fetahu.

Marketing

Në deklaratë për AA, ai tha se grupi i parë i kishte 180 haxhilerë dhe se gjithçka shkoi sipas asaj që kishin planifikuar.

“Unë isha deri këtu në aeroport, bile u futa edhe në aeroplan që edhe një herë t’i përshëndes haxhilerët duke iu lutur Allahut Fuqiplotë që të kenë rrugë të mbarë, që t’u japë shëndet të plotë, vullnet të paluhatshëm, iman të fortë që me sukses t’i kryejnë të gjitha obligimet e Haxhit dhe Insha-Allah të kthehen në vendlindje me haxh të pranuar”, tha Fetahu.

Ai sqaroi se ka më shumë grupe të haxhilerëve, duke përfshirë edhe disa që nisen në datat 29 dhe 30 qershor.

“Numri i haxhilerëve është komplet aq sa kemi pasur edhe viza, do me thënë këtë vit i kemi 919. Por, më vjen keq se nuk kanë mundur ta realizojnë haxhin, pra shkuarjen në haxh, edhe shumë kandidatë. Mund të them me qindra kanë mbetur pa shkuar për arsye se kuota e vizave ka qenë aq”, u shpreh Fetahu.

Ai uroi që vitin e ardhshëm të kenë mundësinë të shkojnë në Haxh të gjithë ata që kanë mbetur pa shkuar këtë vit.

Ndërkohë, shumica e haxhilerëve me emocione u përshëndetën me familjarët e tyre që kishin ardhur për t’i përcjellë në aeroport.

Grupi i parë përbëhej nga haxhilerët e Muftinisë së Gostivarit. Njëri prej tyre, 60-vjeçari Hafiz Ahmet Zendeli, i cili njëkohësisht është imam në fshatin Forinë të Gostivarit, u shpreh i kënaqur nga përgatitjet e bëra nga Muftinia, duke theksuar praninë edhe të udhëheqësve dhe personelit mjekësor.

“Jemi të kënaqur që Zoti na i mundësoi, e liroi (shkuarjen) haxhin pasi ishte e bllokuar dy vite më parë. Lusim Allahun Xh.Sh., të na i pranoje, të kthehemi me haxh të pranuar, të kthehemi shëndosh e mirë, familjet tona që i lamë mbrapa, t’i gjejmë shëndosh e mirë”, tha Zendeli.

Ai u shpreh i emocionuar që është veshur në Ihram që nga Shkupi, duke theksuar se Haxhi shërben për të “ushqyer shpirtin” dhe duke shtuar se duhet ditur vlerën e vendeve që vizitohen.

Sipas informatave të siguruara nga BFI, është paraparë që haxhilerët e Maqedonisë së Veriut të kthehen në disa grupe në datat 21, 22 dhe 25 korrik.