Nisma për pajtim thellon ndarjen

Trupi ndërpartiak për pajtim dhe integrim në Maqedoni, ende pa nisur me punë ka nisur me përçarjen për shkak të dallimeve mes partive lidhur me mënyrën për kapërcimin e pasojave të ngjarjeve të dhunshme në Kuvend, më 27 prill të vitit 2017.

Marketing

Në koordinimin e parë të këtij trupi nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, kanë marrë pjesë partitë në pushtet dhe grupi i deputetëve të përjashtuar të VMRO DPMNE-së. Ky trup sipas është bërë e ditur synon arritjen e pajtimit kombëtar, por pa specifikuar se si mund të bëhet një gjë e tillë, kur aktorët kryesor të ngjarjeve të dhunshme në Kuvend, tashmë po gjykohen për veprën e rëndë penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”.

Trupi do të udhëhiqet nga Frosina Remenski nga LSDM-ja dhe Emilija Aleksandrova nga grupi i deputetëve të përjashtuar të VMRO-së, që kanë formuar një grup të ri të deputetëve të pavarur. Deputetët e VMRO DPMNE-së nuk morën pjesë në takimin ndërpartiak në shenjë pakënaqësie, ndaj siç thonë, ndërhyrjes së qeverisë në punën jo vetëm të gjyqësorit por edhe të institucioneve tjera.

“Nëse Zoran Zaev vërtetë dëshiron të ketë pajtim kombëtar, duhet që të gjitha institucionet të lirohen dhe të lihen të punojnë pa presione, të cilat po bëhen nga pushteti. Ne nuk marrim pjesë në koordinim e trupit ndërpartiak për pajtim dhe integrim pasi nuk pajtohemi që me këtë këshill të udhëheqë personi i cili në mënyrë të turpshme ishte zgjedhur për kryetar të Kuvendit”, ka deklaruar Nikolla Micevski, kryetar i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së.

Por, ai ka thënë se nëse trupi ndërpartiak del me vendime që do të lironin nga ndjekja penale e të gjithë personave të përfshirë në ngjarjen 27 prillit, atëherë ato do të pranohen edhe nga VMRO DPMNE-ja.

“Nëse ky trup koordinues sjell konkluzione, vendime apo çfarë do akti tjetër për lirimin apo zgjidhje për çështje e të gjithë personave të përfshirë në ngjarjet e dhunshme më 27 prill në Kuvend, ne si grup parlamentar do të mbështesim një vendim të tillë, ligj apo çfarëdo zgjidhje tjetër”, ka deklaruar Micevski.

Mbledhjen e grupit parlamentar e ka braktisur edhe Aleanca për Shqiptarët pasi sipas përfaqësuesve të saj misioni i këtij trupi është i paqartë dhe pa ndonjë fuqi për të ndërmarrë masa konkrete. “Aleanca është për pajtim kombëtarë për interesat strategjike shtetërore. Megjithatë, duam të dimë se çfarë përfshin ky i ashtuquajtur pajtim kombëtar. Këtu krijohet përshtypja se e gjithë është vetëm një derë nga ku fillon amnistia. Duam të dimë çfarë konkretisht përfshinë ky trup dhe cili është qëllimi i tij përfundimtar”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nismën për pajtim kombëtar fillimisht e ka paralajmëruar kryeministri, Zoran Zaev menjëherë pasi kishte marrë mbështetjen edhe të 8 deputetëve të përjashtuar të VMRO-së, duke siguruar kështu dy të tretat për ndryshimet kushtetuese. Jozyrtarisht, ky grup si kompensim për votat e dhëna do të përfitoj apo do të lirohet nga ndjekja penale për terrorizëm.

Këtë e kanë mohuar zyrtarët ndërkohë që VMRO-ja ka propozuar në Kuvend një ligj për amnisti, që është refuzuar nga të gjitha partitë politike. Se çfarë do të përfitojnë deputetët dhe dhjetëra personat e tjerë për pushtimin e Kuvendit, ende mbetet ende e paqartë. Pushtimi i Kuvendit më 27 prill ishte mundësuar nga deputetët e VMRO-së të cilët kishin hapur portat e Kuvendit ndërsa më pas kishin orientuar turmën për në qendrën për media të Kuvendit ku ndodhej lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev dhe deputetë tjerë opozitarë. Ata u sulmuan dhunshëm nga protestuesit ndërsa më së keqi e kishte pësuar Zijadin Sela nga Alenca për Shqiptarët, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, nënkryetarja e kësaj partie Radmilla Sheqerinska dhe përfaqësues tjetër të opozitës. /rel/

Marketing