Presidenti serb Alexandar Vuçiç dhe kryeministrja Ana Brnabiç folën të enjten përmes deklaratave të ndara për një nismë të Francës dhe Gjermanisë, e cila mund të zhbllokojë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Asnjëri prej tyre, megjithatë, nuk dha detaje të hollësishme se për çfarë bëhet fjalë konkretisht. Komentet e tij, Vuçiç i bëri gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve “Reuters”, ku rrëfeu se pret një aktivizim më të madh të Parisit dhe Berlinit në procesin e negociatave.
“Mendoj se disa nga nismat e tyre do t’i shohim në një të ardhme të afërt”, është shprehur presidenti serb.
Vetëm pak orë më vonë, idenë e tij e përforcoi edhe Brnabiç, e cila tha se nismat do të lidhen edhe me taksën e vendosur produkteve serbe nga qeveria kosovare.
“Heqja e tarifës nga ana e Prishtinës nuk përvijohet as për së largu në horizont, por mund ta them se nisma franceze dhe gjermane lidhet me heqjen e saj, sepse ne e kemi bërë të qartë se, pa rrëzimin e saj nuk e vazhdojmë dialogun”, ka thënë shefja e ekzekutivit serb.
Bashkimi Europian ka bërë vazhdimisht thirrje për heqjen e taksës dhe në një linjë me të janë edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat thonë se kjo tarifë nuk është në përputhje me interesat amerikane.