Niveli i ndotjes së ajrit, sërish alarmant

Situata me ndotjen alarmante ka nxitur reagimin e Organizatave Joqeveritare, të cilat mes tjerash si masë për uljen e ndotjes propozojnë transport falas për tre muaj, periudhë kur ndotja kalon çdo limit. Ndërkohë masën qeveritare për etiketimin e automjeteve nuk shohin si masë që do të ndikoj në uljen e ndotjes, përkundrazi do të pengoj lëvizjen e lirshme të qytetarëve. Nga ana tjetër kryetarja e Partisë së Gjelbër, Maja Moraçanin kërkoi kontrolle të shtuara në kapacitet industriale.

Marketing

“Pikërisht mbrëmë biseduam me kolegët aktivist dhe ekspert të kësaj fushë dhe tentuam të bëjmë një lloj konstrukti financiar dhe sa prej atyre masave që janë urgjente mund të kushtojnë, dhe matematika jonë tregon se as 15 për qind e masave nuk realizohen nga ajo që është ndarë si buxhet. E kam thënë edhe më herët etiketat e automjeteve nuk i shoh si masë që do të ndikojë shumë në uljen e ndotjes së ajrit, ndoshta mund vetëm të pengojë qytetarët të kategorisë më të ulët në lëvizjen e tyre”, theksoi Natasha Amdiju,kryetare e organizatës Instituti i Gjelbër.

Në aspektin e ndotjes që vjen nga amvisëritë propozuam masë që të kyçen numër sa më I madh I qytetarëve në nxehjen qendrore, në mënyrë financiare tu lehtësohet kjo me uljen e TVSH nga 18 në 5 për qind, që kjo të jetë një stimul që të kyçen në nxehjen qendrore. Për ato që nuk mund të kyçen është subvencionimi që të sigurojnë mënyrë ta ndryshme për tu ngrohur përveç asaj me dru dhe naftë”- tha Maja Moraçanin, kryetare e Partisë së Gjelbër.

Nga Ministria e Ambientit Jetësorë shprehen se po bëjnë përpjekje për të vënë në funksion dy stacionet matëse, atë në Gazi Babë dhe në Lisiçe.

“Stacionet matëse kanë funksionuar 15 vite, ne nuk e dinim se do të prishen këtë vit, dua të them se ato stacione kushtojnë shumë dhe nuk mund të blihen ashtu aq shpejtë dhe disa edhe nuk prodhohen dhe për momentin kjo është gjendja. Ne po mundohemi që sa më shpejt ti vëmë në funksion”- u shpreh Ana Petrovska, Sekretare shtetërore në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

Organizatat joqeveritare janë angazhuar edhe në ngritjen e vetëdijes tek qytetarët dhe institucionet për marrjen e masave urgjente dhe afatgjata për uljen e ndotjes se ajrit.