Një 26-vjeçar dyshohet se tentoi ta vriste kryetarin e komunës së Haraçinës

Prokuroria Publike Republikane sot informoi se për personin e dyshuar për tentim vrasje të kryetarit të Haraçinës do të zbatohet procedurë hetuese. Për të dyshuarin, i cili është i pakapshëm për organet e ndjekjes, prokurori publik gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Publike në Shkup i ka dorëzuar propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit e cila nëse caktohet do të fillojë të zbatohet në mënyrë efektive nga gjetja dhe privimi i tij nga liria.

Marketing

“Për shkak të dyshimit të bazuar për vepër penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 3, ndërsa në lidhje me nenin 19 (në tentativë), Prokuroria Themelore Publike Shkup ka sjellë Urdhër për zbatimin e procedurës hetuese kundër një 26-vjeçari banor në Haraçinë. Ai dyshohet se më 1 prill ka tentuar të vrasë me dashje kryetarin e asaj komune dhe ka vënë në rrezik jetën e disa personave të tjerë. Përderisa kryetari i komunës me bashkëpunëtorët e Komunës së Haraçinës dhe punonjësit e një kompanie kontraktuese ishin duke i kontrolluar punët ndërtimore, i dyshuari ka ardhur me motoçikletë, ka parkuar dhe i është afruar grupit të njerëzve me një automatik në duar. Ai ka nisur të qëllojë në drejtim të kryetarit të komunës dhe ka goditur me disa predha dy persona në afërsi të tij”, njoftojnë sot nga Prokuroria Publike Republikane.

Në kumtesë shtohet se në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë dhënë urdhra përkatës për gjetjen e personit të dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur më 1 prill 2024 në fshatin Haraçinë, kur ishte raportuar se drejt kryetarit të komunës së Haraçinës R.I. dhe persona të tjerë të punësuar në komunë, një person i panjohur nga armë automatike ka gjuajtur disa predha derisa ata kryenin mbikëqyrje në punët ndërtimore. Gjatë të shtënave ishin plagosur E.S. (39) dhe A.A. (22).