Disa persona të armatosur, të cilët po lëviznin me motoçikleta, i kanë vrarë së paku 30 persona në dy fshatra të pjesës veriperëndimore të Nigerisë, njoftoi policia e këtij shteti.
Njëzet e një prej viktimave u dogjën për së gjalli dhe nëntë të tjerë u qëlluan për vdekje me armë zjarri në fshatrat Dankar dhe Tsauwa. Policia njoftoi se sulmuesit më pas vodhën ushqim dhe kafshë shtëpiake.
Qindra njerëz janë vrarë në pjesën veriperëndimore të Nigerisë që nga viti i kaluar, shkruan “Reuters”. Qeveria nigeriane për këto sulme po i fajëson bandat e armatosura, të cilat zakonisht kryejnë plaçkitje dhe rrëmbime të njerëzve.
Komisionari policor, Sanusi Buba, e konfirmoi numrin e viktimave dhe tha se disa ekipe të policisë dhe ushtrisë janë dërguar në vendin e ngjarjes, duke shtuar se autoritetet i kanë nisur hetimet rreth këtij sulmi.
Numri i personave të vrarë nga dhuna në Nigeri po vazhdon të rritet, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se vendi do të vazhdojë të përballet me tensione dhe sulme.
Ky nuk është sulmi i vetëm masiv që ndodhi gjatë këtij muaji në Nigeri. Më 9 shkurt, militantët e grupit Boko Haram i vranë së paku 30 persona në rajonin verilindor të Borno-s.