Një familje në Maqedoni ka nevojë për 36.768 denarë për shportën minimale konsumatore

Shpenzimet minimale për një familje katër anëtarëshe në mars arrijnë 36.768 denarë (597 euro), njoftoi sot Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, e cila çdo muaj e bën llogaritjen e shportës minimale sindikale.

Marketing

“Nga fillimi i vitit është rritur për 1.000 denarë, ndërsa në krahasim me vitin paraprak në muajin mars është rritur për 3.000 denarë. Rritje më të madhe ka te ushqimi dhe pijet dhe te transporti, që do të thotë vazhdon rritja e njëjtë”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Për ushqim dhe pije në mars nevojiteshin minimum 15.780 denarë, ndërsa për shpenzimet e regjimit 11.597 denarë. Paratë tjera nga shporta minimale sindikale janë për transport, veshëmbathje dhe shërbime shëndetësore.

Enti Shtetëror i Statistikave ka publikuar sot të dhënat më të fundit për koston e jetesës dhe çmimet e shitjes me pakicë. Sipas statistikave, në muajin mars inflacioni ishte 8.8 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar, ndërsa çmimet e shitjeve me pakicë 9.6 për qind. Krahasuar me muajin shkurt, ka një rritje me 1.6 për qind të kostos së jetesës dhe 1.5 për qind të çmimeve të shitjes me pakicë.