Një vajzë dhjetëvjeçare e humbi jetën, ndërsa tre persona të tjerë janë lënduar gjatë një aksidenti me traktor, kur fëmijët kanë rënë nga një shportë metalike e cila ka qenë e lidhur me automjetin, njoftoi policia.
Siç informon policia, mbrëmë rreth orës 20:00 në një fushë mbi udhëkryqin për në fshatin Slivnik, përgjatë rrugës e cila çon në fshatin Rllevci të Velesit S.S (18) nga fshati Buzalakovë ka parkuar traktorin “IMT 542” me targa nga Velesi ku ka qenë e lidhur një shportë e improvizuar metalike ku kanë qenë katër fëmijët, dy të moshës 10 vjeçare, njëri tetëvjeçar dhe një pesëvjeçar të gjithë nga fshati Buzallakovë.
Në një moment traktori është nisur në teposhtë ku dy nga fëmijët 10 dhe pesë vjeç kanë rënë nga shporta metalike dhe kanë marrë lëndime të rënda trupore. Dy fëmijët e tjerë kanë arritur që të dalin me lëndime të lehta trupore. Fëmija dhjetëvjeçar, tetëvjeçar dhe pesëvjeçar janë dërguar në Spitalin e përgjithshëm në Veles. Mjeku i spitalit tek fëmija dhjetëvjeçar ka konstatuar vdekjen, ndërsa tek fëmija pesëvjeçar janë konstatuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në Klinikën “Nënë Tereza” në Shkup. Tek fëmija tetëvjeçar janë konstatuar lëndime të lehta trupore dhe është mbajtur për kurim të mëtejshëm në Spitalin e përgjithshëm në Veles.