Një grua emërohet gjyqtare në Super Kupën e Evropës, Liverpool – Chelsea

Stephanie Frappart do të jetë gjyqtarja e ndeshjes së Super Kupës së Evropës, mes Liverpoolit dhe Chelseat. Ajo do të jetë gruaja e parë që referon në një ndeshje zyrtare të djemve në UEFA.

Marketing

Ndeshja mes Liverpoolit dhe Chelseat do të zhvillohet në “Besiktas Park” në Stamboll të Turqisë, më 14 gusht, transmeton Gazeta Express.
Në këtë ndeshje përballet çdo vit fituesi i Ligës së Kampionëve, për këtë edicion Liverpooli, dhe fituesi i Ligës së Evropës, këtë herë Chelsea.

UEFA ka shkruar historinë me vendimin për ta caktuar 35-vjeçaren për gjyqtare kryesore në këtë ndeshje. Frappart e kishte ndarë drejtësinë në finalen e Kupës së Botës së vajzave, mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Francës.
Frappart veçse është gjyqtarja e parë që ka ndarë drejtësinë në një ndeshje të Ligue 1, pasi që në prill u caktua si gjyqtare e ndeshjes mes Amiens dhe Strasbourgut.

Megjithatë, kjo është hera e parë që është caktuar një grua si gjyqtare në një ndeshje të djemve, të organizuar nga UEFA.
Frappart nuk do të jetë e vetme, pasi që ajo do të ndihmohet nga Manuela Nicolosi nga Franca dhe Michelle O’Neal nga Irlanda. Zyrtari i katërt do të jetë Cuneyt Cakir nga Turqia.