Një kosovar kandidat për kryetar komune në Suedi

Qyteti i Strömstadit ku jeton edhe Besnik Obërtinca, kosovar nga Prishtina, numëron rreth 13 mijë banorë së bashku me rrethinë. E Besnikun pritet ta votojnë rreth 45 ose 50 familje shqiptare që jetojnë në këtë qytet për të përfaqësuar komunitetin në asamble komunale.

Marketing

Në Suedi kutitë e votimit për zgjedhjet lokale do të hapen më 9 shtator, ku Besnik Obërtinca është i vetmi kandidat shqiptar për qytetin e Strömstadit.
Besnik Obërtinca jeton në Strömstad të Suedisë që nga viti 2010.

Ai ka përfunduar Shkencat Politike, departamenti Administratës Publike dhe Diplomaci si dhe Fakultetin e Mjekësisë- drejtimi Fizioterapi, të dyja këto në Prishtinë.

Në Suedi i ka legjitimuar/nostrifikuar të dy diplomat universitare. Aktualisht Besniku punon si Administrator në gjimnazin e Strömstadit si dhe së bashku me gruan e tij udhëheqin një biznes familjar sezonal në një ishull turistik në periferi të këtij qyteti.

Besnik Obërtinca ka thënë se ka lidhje të forta me vendlindjen dhe nuk e përjashton mundësinë që të kthehet në Kosovë dhe ta realizojë aktivitetin e tij politik në Kosovë.

“Unë jam lindë, rritë dhe shkolluar në Kosovë. Kam lidhje emocionale shumë të forta me vendin tim, ngaqë familja ime, rrethi dhe shoqëria ime e ngushtë jeton atje. Me mendje dhe zemër i përkas vendit tim dhe nuk e përjashtoj asnjëherë mundësinë që sërish në të ardhmen t’i jem në shërbim” ka thënë Obërtinca për kallxo.com

Besnik Obërtinca aktivitetin e tij politik e ka filluar që nga viti 2003/04 si anëtar i Forumit Rinor të LDK-së në Prishtinë, ndërsa në vitin 2007/08 ka qenë në listën për Asamble Komunale në Prishtinë nga atëbotë LDD (Lidhja Demokratike e Dardanisë).

Besnik Obërtinca ka thënë se aktivitetin politik aktualisht po e bën në Suedi për shkak se dëshiron të kontribuoj për komunitetin shqiptar në diasporë. Obërtinca që nga viti i kaluar është anëtar i partisë Socialdemokrate dhe këtë vit edhe pjesë e listës për Asamble Komunale në Strömstad.

Obërtinca ka thënë se politika aktuale në Kosovë nuk do t’i kishte krijuar mundësi të ushtrimit të aktivitetit politik.

“Politika aktuale që bëhet në Kosovë nuk besoj që do kishte krijuar mundësi angazhimi, ngaqë mënyra e të bërit politikë konsiston në ndërtim të interesave personale dhe jo në shërbim të popullit siç duhej normalisht të ishte. Shpresoj në ndërrim gjeneratash që domosdoshmërisht do të prodhonte ndryshim dhe politikë të mbarë. Atëherë do të hapeshin rrugë të mirëfillta angazhimesh të reja. Deri atëherë shpresojmë në ditë më të mira” është shprehur Obërtinca.

Marketing