Programi manifestues i Natës së Kadrit i organizuar nga Myftinia e Shkupit mbushi përplot me besimtarë xhaminë e Mustafa Pashës. Program i pasuruar me lexim Kur’ani, këndim ilahie dhe këshilla Kur’anore i parapriu faljes së namazit të teravisë. Zëri i bukur i hafiz Jetmir ef. Zendelit e filloi programin me leximin e disa ajeteve të përzgjedhura ku më pastaj pasoi këndimi i disa ilahive nga ilahisti Afrim Haziri dhe Burhan Rahmani, një fjalë rasti nga imami dhe hatibi i xhamisë Abdusamet ef. Zekiri pas së cilës pasoi leximi i një ashere nga zëri i ëmbël i hafizit të mirënjohur Hfz. Xhemail ef. Nuhiu dhe dua nga Myftiu i Myftinisë së Shkupit Mr. Qenan ef. Ismaili pregatitën shpirtërat e besimtarëve për një ndjenjë më ndryshe të përjetimit të faljes së namazit të kësaj nate.
Program të paraparë kishte edhe përgjatë faljes së namazit të teravisë. Për ti dhuruar një ndjenjë më ndryshe xhematit falja e çdo katër rekateve të teravisë u bë nga hafiz i ndryshëm duke filluar nga Hfz. Ibrahim ef. Sherifi, Hfz. Mustafa ef. Tarik, Hfz. Llokman ef. Aliu dhe Hfz. Xhemail ef. Nuhiu, ndërsa pas çdo katër rekatëve të falura u dërgua salavate të Dërguarit a.s., u lexua nga një refren i ilahive të ndryshme dhe u dha nga një këshillë nga hoxhallarë eminent të ndryshëm duke filluar nga Myftiu i Myftinisë së Shkupit Mr. Qenan ef. Ismaili, Atasheu për çështje fetare pranë ambasadës së R. së Turqisë z. Murat Allkën, hoxha i nderuar Llokman ef. Kamberi hatib i xhamisë Allaxha, hoxha i nderuar Muharem ef. Ismaili hatib i xhamisë Isa Beu.
Lusim Allahun e Lartëmadhëruar që vlera e natës së Kadrit të mbulojë çdo shpirt që punon të mira në jetën e kësaj bote dhe shpreson në mirësinë e Allahut në botën tjetër.