Një muaj paraburgim për serbin e dyshuar për krime lufte në Kosovë

65 vjeçarit, Radomir Antiq, serb nga Kosova i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji pasi Prokuroria e Kosovës nisi një hetim kundër tij nën dyshimin për krime lufte të kryera në vitin 1999 në zonën e fshatit Vërbicë e Zhegocit të Gjilanit.

Marketing

Ai u arrestua pak ditë më parë, kur policia në shtëpinë e tij gjetii një pushkë gjuetie, një pistoletë dhe rreth 40 fishekë të kalibrit të ndryshëm.

Avokati Vlastimir Petroviq i tha Radio Kontakt Plusit se Antiq është arrestuar për posedim të paligjshëm të armëve, por në ndërkohë, zyra e prokurorisë së Kosovës ka nisur një hetim kundër tij për krime lufte, transmeton Klan Kosova.

Petroviq thotë se Antiq është në një burg në Gjilan dhe se atij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Sipas avokatit, procedura paragjyqësore është në proces, kështu që nuk ka detaje të tjera lidhur me këtë rast.

Radomir Antiq nga fshati Parallovë i komunës së Novobërdës është një pylltar në pension. Ai jeton me familjen e tij në këtë fshat dhe nuk e ka lënë Kosovën pas luftës.