Një nga shtetet më të varfra në botë heq dorë nga Botërori

Eritrea nuk do të marrë pjesë në kualifikueset afrikane për Kupën e Botës 2026. Federata e futbollit e këtij vendi dhe FIFA kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në të cilën sqarojnë se skuadra afrikane nuk do të luajë kualifikueset.

Marketing

Deklarata e shkurtër e publikuar nga FIFA nuk tregon arsyet e tërheqjes së Eritresë: “FIFA dhe CAF konfirmojnë se Federata Kombëtare e Futbollit të Eritresë është tërhequr nga gara për Kupën e Botës FIFA 2026. Të gjitha ndeshjet e Eritresë janë anuluar, ndërsa pjesa tjetër e ndeshjeve të Grupit E mbetet e pandryshuar, me Marokun, Zambian, Kongon, Tanzaninë dhe Nigerin”.

Eritrea aktualisht nuk është në renditjen e FIFA-s, sepse nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare për më shumë se katër vjet. Disa media afrikane publikuan se vendimi për tërheqjen e ekipit nga kualifikueset ka ardhur nga qeveria e vendit, e cila ka frikë se disa lojtarë mund të dezertojnë gjatë udhëtimit të tyre në Marok, për të luajtur ndeshjen e parë, të planifikuar për në 16 nëntor.

Në vitin 2019, 10 lojtarë të Eritresë kërkuan azil në Botsvanë, gjatë kualifikimeve për Botërorin Katar 2022. Kështu, një nga diktaturat më të ashpra në botë ka vendosur që përfaqësuesja të mos i luajë fare kualifikueset.

Vitin e kaluar, Eritrea u tërhoq edhe nga kualifikueset për Kupën e Afrikës 2023, e cila do të luhet janarin e ardhshëm, në Bregun e Fildishtë.

Në vitin 2021, Reporterët pa Kufij e identifikuan Eritrenë si vendin me më pak liri të shtypit në botë, madje edhe më pak sesa Koreja e Veriut.