Me autobusë, aeroplanë ose automobila personalë, një numër i madh i mërgimtarëve nga Kërçova dhe rajoni i saj të cilët punojnë në Zvicër, Itali, Austri, Gjermani dhe vende të tjera evropiane, gjatë 24 orëve të fundit të organizuar erdhën në Kërçovë që të votojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, në të cilat do ta mbështesin kandidatin e BDI-së, Fatmir Dehari.
Përgjatë çarshisë së Kërçovës, në lokale dhe rrugë, dukshëm mund të shihet përqendrimi i njerëzve dhe frekuenca e automobilave edhe në këto tri ditë Kërçova i ngjan qytetit të periudhës së verës, kur në vend mërgimtarët ishin në pushim vjetor.
Sikur që erdhën në vend ata njëjtë në mënyrë të organizuar do të kthehen në vendet ku punojnë dhe jetojnë. Të gjithë janë unik se me mbështetjen e tyre kandidati i BDI-së, Fatmir Dehari do të fitojë më shumë vota, do të fitojë në këto zgjedhje dhe do ta fitojë mandatin e tretë të kryetrarit të komunës Kërçovë.
Mërgimtarët nuk e fshehin optimizmin se votat e tyre do të jenë vendimtare se kush do të jetë kreu i qytetit në katër vitet e ardhshme në këtë komunë.
Përndryshe, në rrethin e parë të zgjedhjeve në komunën e Kërçovës, më së shumti vota – 881 kishte kandidati i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Jovanovski, ndërsa i dyti me 250 vota më pak ishte kandidati i BDI-së, Fatmir Dehari.