



Një panel i pavarur në Administratën amerikane për Ushqim dhe Ilaçe (FDA), ka përkrahur dhënien e dozave përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga Pfizer/BioNTech, mirëpo vetëm për amerikanët më të moshuar edhe ata që janë më të rrezikuar.
Ndonëse rekomandimi nuk është detyrues, udhëzimi i panelit përbën dallim prej planit të presidentit amerikan, Joe Biden për të ofruar doza shtesë për pothuajse të gjithë amerikanët.
Rregullatori amerikan, FDA, që zakonisht zbaton këshillat e panelit, pritet të marrë vendimin zyrtar javën tjetër.
Ekspertët e panelit kanë thënë se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për dozat përforcuese dhe ka vënë në pikëpyetje dhënien e vaksinave shtesë për të gjithë, në vend që ato të ndahen vetëm për grupet më të cenueshme.