Khalil Haqqani, një nga terroristët më të kërkuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka drejtuar faljen e të premtes për luftëtarët talebanë në Kabul, ku dhe u prit me brohorima nga mbështetësit e tij të zjarrtë.
Personi që merret me mbledhjen e fondeve për Talebanët, i cili ka lidhje edhe me Al Qaeda-n, është në listën e më të kërkuarve në Amerikë, me një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për këdo që ndihmon në kapjen e tij.
Sipas mediave të huaja që transmetuan edhe pamjet ai u brohorit në rrugët e Kabulit para se të drejtonte lutjet në xhaminë më të madhe të qytetit.
Haqqani tani është pjesë integrale e lëvizjeve të talebanëve për të krijuar një qeveri dhe ka qenë i armatosur kur ka hyrë në ndërtesën fetare
Pas predikimit, Haqqani i tha turmës: ‘Prioriteti ynë i parë për Afganistanin është siguria. ‘Nëse nuk ka siguri, nuk ka jetë. Ne do të japim siguri, pastaj do të japim ekonomi, tregti, arsim për burrat dhe gratë. Nuk do të ketë diskriminim., raporton The Neë York Times.
Fjalimi i tij u përshëndet nga turma që brohoriste. Haqqani është pjesë e rrjetit me të njëjtin emër, që ka luajtur një rol të madh në ngritjen e talebanëve në Afganistan.
Grupi u themelua nga komandanti muxhahedin Jalaluddin Haqqani në vitet 1970 dhe dyshohet se ndihmoi Osama bin Laden të arratisej nga Afganistani në 2001.
Khalil është vëllai i themeluesit të grupit që u transformua me kalimin e viteve në një rrjet të mirëfilltë terrorist. Ai është gjithashtu xhaxhai i numrit 2 të Talebanëve, Sirajuddin Haqqani.
Haqqani është pjesë e listave të terroristëve të SHBA dhe OKB së bashku me anëtarët e tjerë të familjes së tij.
Krimet për të cilat ai akuzohet përfshijnë ‘pjesëmarrjen në financimin, planifikimin, lehtësimin, përgatitjen ose kryerjen e akteve ose aktiviteteve të kryera’ nga talebanët.
Pavarësisht fjalëve të tij dhe premtimeve të Talebanëve, ekspertët e sigurisë mendojnë se Haqqani do të bëjë të mundur rikthimin e Al Qaeda-s në Afganistan. Një zyrtar i shërbimeve inteligjente britanike tha se rrjeti Haqqani dhe Al Qaeda kanë një histori të gjatë të përbashkët dhe janë të ndërthur me njëri-tjetrin.