Cassie, një robot me dy këmbë i zhvilluar nga studiuesit në Universitetin Shtetëror të Oregonit, vendosi rekord botëror duke vrapuar 100 metra në 24.73 sekonda, shkruan TechnoNews.
Roboti filloi nga një pozicion si atlet, vrapoi dhe më pas u kthye në pozicionin e tij fillestar pa rënë në tokë.
“Lëvizja dhe ndalimi është shumë më i vështirë se vrapimi, ashtu si ngritja dhe ulja është më e vështirë se fluturimi me një aeroplan”, ka thënë Alan Fern, një profesor i inteligjencës artificiale i cili ka punuar në projektin e zhvillimit të robotit Cassie që nga viti 2017.
Robotit iu mësuan një gamë të gjerë ecjesh, e më pas si t’i përshpejtonte ato.
Sfida e madhe për studiuesit ishte që Cassie të fillonte dhe të përfundonte në një pozicion në këmbë pa u rrëzuar. Roboti nuk është i pajisur me sensorë të jashtëm apo kamera, kështu që ai funksionon si “i verbër”.
Zhvillimi kushtoi një milion dollarë, dhe roboti është rezultat i punës 16 mujore nga departamenti i robotikës dhe inteligjencës artificiale.