Një shoqatë bullgare promovon mysliman me vetëdije bullgare në Llabunishtë të Strugës

Shqiptar, mysliman dhe me vetëdije bullgare është ky koncepti i pazakontë që e promovon një nga shoqatat bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Bëhet fjalë për shoqatën “Shemeto” e cila vepron në disa qytete por që vëmendjen e ka tërhequr dega e shoqatës në fshatin Llabunishtë të Strugës. Banorët e Llabunishtës janë të habitur nga lajmi se në fshatin e  tyre ka një shoqatë bullgare dhe shumë pak, për të mos thonë aspak, kanë dëgjuar për këtë shoqatë, shkruan Portalb.mk.

“Shemeto” është një nga shumë shoqata bullgare që veprojnë në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ndryshe nga gjithë shoqatat tjera bullgare në territorin e Maqedonisë së Veriut kjo shoqatë përmend për herë të parë shqiptarët me vetëdije bullgare. “Shemeto” si shoqatë u regjistrua në mars të 2022-it në Gostivar, ndërsa vepron dhe në Prilep dhe në Strugë. Në statutin e shoqatës thuhet se “Shemeto” ka për qëllim “mbrojtjen e të drejtave themelore të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut” dhe “zhvillimi i marrëdhënieve mes bullgarëve dhe maqedonasve“. Shoqata në fjalë organizon disa aktivitete, të tilla si: trajnime, iniciativa bamirëse, konsultime, ngjarje kulturore etj.. Sipas publikimeve në faqen e tyre mundet të konkludohet se aktiviteti i fundit i “Shemeto” është realizuar në korrik të vitit 2023.

Themelues dhe bashkëkryetar i shoqatës është shtetasi bullgar Zhivko Çakrakçiev dhe Bekir Kadrievski shtetas i RMV-së nga fshati Llabunisht i Strugës.

Ajo që bie në sy për Zhivko Cakrakciev është fakti se nga profilet e tij në rrjetet sociale, shihet se ai është mbështetës i presidentit rus Vladimir Putin, madje është pjesë e një grupi fansash të presidentit rus, dhe shpesh ndan përmbajtje që janë kundër Perëndimit dhe Amerikës. Në biografinë e tij thuhet gjithashtu se ai flet rusisht. Cakrakciev ka qenë pjesë e shërbimeve ushtarake bullgare dhe ka shërbyer në forcat ajrore bullgare për dy vjet. Ai u bë i njohur në RMV dy vjet më parë kur organizoi protesta studentore në Berlin, Paris dhe Bruksel kundër diskriminimit të bullgarëve në Maqedoni dhe e quajti veten si përfaqësues i rinisë.

Nga ana tjetër, bashkëkryetar i shoqatës është edhe Bekir Kadrievski i cili u bë i njohur për opinion vendas por edhe më gjerë në qershor të vitit 2023 kur në rrjetet e tij sociale akuzoi se ishte sulmuar fizikisht për shkak të identitet të tij bullgar. Ngjarje kjo që bëri bujë të madhe në politikën mes dy vendeve.

Pak ditë pas sulmit, për trajtim më të mirë Kadrievski u dërgua në një spital në Sofje të Bullgarisë. Nga postimet e tij në rrjetet sociale mundet të kuptohet se Kadrieski vazhdon të qëndrojë në Sofje edhe sot kësaj dite. Është interesant fakti se në të dhënat personale në “Facebook” Kadrievski thotë se është nga Sofja por jeton në Strugë. Bekir Kadrievski është nga fshati Llabunisht i Strugës, ku edhe figuron adresa e shoqatës, fshat ky i cili sipas regjistrimit të fundit numëron 6 739 banorë. Pjesa më e madhe – 4 751 deklarohen se janë shqiptarë, vijojnë turqit – 836, ndërsa 452 banorë janë deklaruar se i përkasin përkatësive tjera etike. Nëse në mesin e këtyre 452 personave nuk mundet të dihet se ka bullgarë. Sa i përket religjionit të gjithë banorët i përkasin fesë islame, përfshirë këtu edhe Kadrievskin i cili deklarohet si mysliman me vetëdije bullgare.

Në një intervistë të më hershme për emisionin 360 shkallë Kadrievski thotë se “nuk mendoj se është kontradiktore të jesh dhe shqiptar dhe me vetëdije bullgare, sepse Evropa na i mësoi këto gjëra. Pra, këtu kemi maqedonas me vetëdije serbe, të cilët e kanë thënë këtë. Kemi shqiptarë me vetëdije amerikane, pse t’i ketë rëndësi dikujt kjo? Pra është demokraci. Ne duam të hyjmë sa më shpejt në atë demokraci dhe tani nuk e di as kujt i intereson”.

Gjatë këtyre dy viteve Kadrievski paraqitet mjaft aktiv dhe i zëshëm në çdo aktivitet që ka të bëjë me bullgarët në RMV. Një nga aktivitetet e fundit të shoqatës është vizita në varrin e Goce Dellçevit më 4 shkurt, ndërsa në dhjetor mysafir i bashkëpresidentit Kadrievski ishte ambasadori bullgar Angel Angelov./ Portalb.mk.