Real Madridi mori një goditje të fortë në garën për titull në La Liga mbrëmjen e së shtunës, pasi u mposhtën me rezultat 2-1 nga Real Betis në ‘Benito Villamarin’.
Jo vetëm se ‘Los Blancos’ ranë në pozitën e tretë duke bërë që Barcelona të bëhet lider me tri pikë dallim, por ata e bën këtë pa luftuar në fushë.
Sipas një raportimi nga Marca, ky është shqetësimi kryesor në ‘Valdebebas’ para fillimit të një jave të rëndësishme, ku do të takohen me Atletico Madridin në ndeshjen e tyre të parë të 1/8-tës në Ligën e Kampionëve në ‘Santiago Bernabeu’.
Stafi i trajnerëve të Real Madridit, duke përfshirë Carlo Ancelottin dhe hierarkinë e klubit, ishin të shqetësuar nga ajo që ata e interpretuan si ‘indiferencë’ nga yjet e ekipit në humbjen ndaj Betisit.
Pikërisht kur dukej se Real Madridi ka gjetur formën e tyre fizike dhe formulën për të konkurruar në nivelin më të lartë, kjo ndjenjë u ‘shkatërrua’ në vikendin që lamë pas.
Klubi dhe Ancelotti nuk e kupton sjelljen e lojtarëve të tyre, veçanërisht duke theksuar mentalitetin e tyre si çelësin drejt suksesit në muajt e fundit.
Pasi u pa se si ekipi u transformua ndaj Manchester Cityt, mungesa e përkushtimit kolektiv ishte sërish një gjë për t’u diskutuar.
Është thënë gjithashtu se edhe problemet me lëndime e kanë vështirësuar më tej gjendjen duke mos ndihmuar aspak në përmirësimin e situatës.
Mungesat e Jude Bellingham dhe Fede Valverde e kanë përkeqësuar më tej këtë çështje, për një ekip që tashmë po vuante mungesat e Dani Carvajal, Eder Militao dhe së fundmi Dani Ceballos, i cili ishte çelësi i paraqitjeve të tyre të mira së fundmi./Telegrafi/