Ylli i Los Angeles Lakers, LeBron James, e ka zbuluar një tatuazh në këmbën e tij të cilin e ka bërë së fundi për ta nderuar legjendën e basketbollist, tashmë të ndjerë, Kobe Bryant.
Kobe Bryant dhe vajza e tij 13-vjeçare, Gianna, ishin në mesin e nëntë personave që vdiqën të dielën, pasi helikopteri me të cilin po udhëtonin u rrëzua mbi lagjen Kalabasas në Los Angeles të Kalifornisë.
Bota e sportit ka qenë duke e vuajtur humbjen e Bryant gjatë gjashtë ditëve të fundit. Njëri ndër personat që është prekur shumë nga kjo tragjedi është LeBron James, i cili e ka bërë një tatuazh me një gjarpër, numrat 24 dhe 8 si dhe fjalën “Mamba” – të gjitha këto janë gjëra me të cilat simbolizohet Kobe Bryant.
Ylli i LA Lakers, LeBron James e kaloi Bryantin për t’u bërë koshashënuesi i tretë më i mirë në histori të NBA të shtunën e kaluar.
James gjithashtu kishte luajtur përkrah Bryantit në Lojërat Olimpike 2008 dhe 2012, duke i ndihmuar Kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i fitojë dy medalje të arta.
Dyshja nuk kishte luajtur kurrë bashkë në NBA, mirëpo James iu bashkua Lakers dy vjet pas pensionimit të Bryant. Postimi i fundit i Bryant në Twitter, para se të ndërronte jetë, ishte një mesazh për LeBronin, ku shkruhej: “Po vazhdon ta çosh këtë lojë përpara Mbreti James. Kam shumë respekt për ty, vëlla”.