SHMQSH Marija Kiri Skllodovska, për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe shënimit të 133 vjetorit të hapjes së mësonjëtores së parë shqipe, organizoi program kulturo-artistik për nder të kësaj dite historike të arsimit shqip, ditë e cila hapi dyert e diturisë për kombin shqiptar.
“7 Marsi, Dita e Mësuesit, shënohet si një ngjarje me rëndësi politike e kulturore në historinë e arsimit kombëtar shqiptar. Andaj, në këtë ditë ne të gjithë se bashku kujtojmë dhe nderojmë mësuesit tonë të parë që na mësuan shkronjat shqipe, të cilët na mësuan se si ta duam dhe ta respektojmë atdheun”, thonë nga Unioni i nxënësve pranë kësaj shkolle.
Për kontributin e tyre të çmuar në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave dhe mbajtjes në jetë të gjuhës, kulturës dhe arsimit shqiptare, Drejtoria e kësaj shkolle ndau mirënjohje për veteranët e arsimit ku 3 prej tyre postmortem: Adem Demaçi, Sami Sulejmani dhe Faredin Miftari ndërsa 3 mirnjohje u ndanë për Reis’ul Ulema H.Sulejman ef.Rexhepi , Rizvan Sulejmani dhe Bajrush Mjaku.
Drejtori Blerim Nebiu u shpreh se falenderimi është i pakët për ata që dhanë çdo send prej vetës që ne të gëzojm një të ardhme më të mirë se ata.
Asgjë nuk na gëzon më shumë se momenti kur shohim pishtarët e arsimit të mbledhur në një vend, ndërsa para tyre gjenden të mbjellurat e tyre.
Të jetojë gjithmonë dëshira për arsim dhe edukim të popullit tonë.
Do të jemi gjithmonë mirënjohës të gjithëve që jetuan dhe vepruan në frymën e arsimit.