Njëri nga të plagosurit para Spitalit të Tetovës, në gjendje të rëndë

Njëri nga dy të plagosurit para urgjencës në Tetovë mbrëmë është në gjendje të rëndë. Pavarësisht ndërhyrjes kirurgjike gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar njoftojnë nga Klinika e Shkupit.

Marketing

Edhe i plagosuri tjetër po kurohet në të njëjtin spital por është në gjendje të qëndrueshme.

Ndërkaq policia ka arrestuar katër nga pesë personat e përfshirë në gjuajtjen me armë zjarri para urgjencës së Tetovës ku mbetën të plagosur A.M. 41 vjeç dhe Z.M. 36 vjeç. Sipas policisë, të dyshuarit janë arrestuar mbrëmë rreth orës 23 e 10 minuta. Fillimisht është arrestuar 55 vjeçarja Sh. E. nga Tetova, ndërsa më vonë, edhe personat R.T., 35 vjeç, M.T., 44 vjeç dhe N.M 39 vjeç, ndërsa personi i pestë sipas Policisë së Tetovës, është ende në arrati.

“Po merren masa për gjetjen e një personi tjetër. Prokurori publik dhe një ekip nga SPB-Tetovë kanë kryer këqyrje të plotë në vendin e ngjarjes dhe punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës ndaj personave të përfshirë në këtë rast do të vijojnë kallëzime përkatëse”, thonë nga SPB Tetovë.

Sipas informatave nga SPB Tetovë, gjuajtjes me armë zjarri para urgjencës së Tetovës, i ka paraprirë zënka mes dy grupeve në mesditë, përpara Gjykatës së Tetovës respektivisht pas daljes nga seanca gjyqësore. Për mosmarrëveshjet mes tyre palët kanë qenë në gjyq.