Njeriu sot nuk ka vetëm një atdhe

Vendlindja apo atdheu për një kohë të gjatë kishte diçka të kohës së shkuar, demode, të paktën për shumë gjermanë. Migrantët mendojnë ndryshe, sepse ata kanë më shumë se një atdhe
Vendlindja – jo vend, por kohë

Marketing

Vendlindja është për mua fëmijëria, ngrohtësia e familjes, rruga ime e dikurshme me aromat e ndryshme drita, shija e kumbullave në oborr. Thuhet se atdheu im është aty ku është familja ime. Aty ku janë miqtë e mi. Atdheu im është aty, ku është shtëpia ime dhe ku unë ndjehem mirë. Por familja ime e zmadhuar jeton në 5 shtete, miqtë e mi më të ngushtë janë të shpërdarë në të gjithë botën, dhe unë ndjehem si në shtëpinë time në katër qytete dhe tre shtete.

Pastaj është edhe ajo gjëja me pasaportën. E formuluar pak më ndryshe, pasaporta është një patentë e klasit të lartë. Me pasaportën ti njeh disa detyrime kundrejt shtetit, dhe merr si shpërblim disa siguri. Me identitetin kjo të bëjë pak, më shumë me luajalitetin, ligjshmërinë dhe besnikërinë ndaj ligjit. Papa ka tre pasaporta: argjentinase, italiane dhe një në Vatikan. Si e pasqyron kjo identitetin e tij? A është ai argjentinas, italian apo njeri i Vatikanit? Apo më shumë kreu i kishës katolike?

Në ditët e sotme në një botë të komplikuar dhe të globalizuar ke detyrimisht disa identitete. Për shembull unë jam lindur si bullgar, me pasaportë jam gjerman. Por më fort ndjehem i lidhur me identitetin tim si gazetar. Një identitet tjetër që është po shumë i rëndësishëm është i lidhur me familjen time, dhe anëtarët e saj jetojnë në katër shtete. Nën-identitete të tjera të rëndësishme për mua, përkthyes nga letërsia, shkrimtar, çiklist, duhanpirës, i pasionuar pas muzikës klasike. Në Gjermani nuk kam përjetuar asnjëherë racizëm në jetën e përditshme. Ndoshta sepse pamja ime e jashtme është shumë e zakonshme dhe se e zotëroj gjuhën gjermane. Por kur para 27 vjetësh fillova të punoj si redaktor në Deutsche Welle, punonjëset e punonjësit e Deutsche Welle-s me sfond të huaj, nuk shiheshin si gazetarë, por më shumë si përkthyes. Dhe për vite më radhë në nivelet e drejtimit nuk gjeje asnjë koleg të vetëm më sfond të huaj. Kjo ka ndryshuar.

“Vendlindja është aty ku nuk ke nevojë të shpjegohesh”

Kjo thënie e Herderit ka qëndruar varur gjithmonë në kopsht në qytetin tim të lindjes në Hermannstadt, Sibiu në Rumani. Një qytezë mesjetare e një rajoni multikulturor europian, që prej 100 vitesh është pjesë e Rumanisë dhe më parë një mijëvjeçar i ka përkitur Hungarisë. Dhe vërtet aty nuk kishin nevojë të shpjegoheshim. As Mihai, fqinji im rumun, as motrat hungareze Emese dhe Enikö, as Anita një vajzë saksone e Siebenburgut. Ne jetonim të gjithë në të njëjtën rrugë, luanim së bashku, ziheshim dhe pajtoheshim me njëri-tjetrin.

Festat i festonim me familjet tona, secilën festë në kohën e vet. Për shembull për Pashkë, ato ortodokse dhe protestante nuk qëllonin në të njëjtën javë, prandaj kishte dy herë vezë të lyera (tek gjermanët protestantë) dhe çorbë misri (tek rumunët ortodoksë). Tek fqinjët hungarezë qëndronin në tavolinë ëmbëlsira sipas recetave nga Budapesti. Dhe kur u rritëm shijonim verën Carmel, shumë të ëmbël, si liker bananesh, që na e ofronte fshehurazi tezja e Emmit, kur ne i hidhnim parfum të blerë lirë, një traditë e vjetër, që i bënte të spërkateshin të gjitha vajzat dhe djemtë në lagjen tonë. Me kursim që të mjaftonte për të gjithë. Dhe askush nuk pyeste, nëse një i krishterë mund të hante matcen apo një hebre vezët e lyera. Ne i hanim të gjitha dhe ky ishte një kujtim i bukur.
Jetonim në botë paralele, secili në familjen e tij, në gjuhën dhe identitetin e tij dhe megjithatë bashkë me njëri-tjetrin. “Të vetmet paralele që priten janë ato në Hermannstadt”, thoshte im atë. Kjo ishte vendlindja për mua. Një botë ideale që prindërit tanë e kishin ngritur pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore? Një ishull i mirësisë, larg realitetit të dhimbshëm të diktaturës komuniste, në të cilin jetonim? Ishte Macondo-ja ime? Yoknapatavpha ime?
Ndoshta. E megjithatë nuk dua ta harroj atë kohë dhe miqtë e mi të atëhershëm. Ky është një atdhe, që unë e mbaj në shpirt, jo si barrë, por si burim frymëzimi për atdhe të tjerë, që janë uzurpuar nga unë apo më kanë uzurpuar mua. Disa vendlindje që më lejojnë edhe mua të them në Gjermani – Vendlindje – ja ku jam. Pa pasur nevojë të shpjegohem.

Shija e njohur e traditave tona

Në të ashtuquajturën Europa e vjetër nocioni i “vendlindjes” apo atdheut të tingëllon disi i thatë. Falë Zotit, sepse në emër të atdheut janë bërë luftëra në kontinentin tonë. Sot ndjehesh si në shtëpi kudo, në Athinë, në Köln apo në Porto. Gjithkund shija e njohur e traditave të përbashkëta. Si europian unë kam një sfond të huaj dhe një pasaportë gjermane. Grek në jetën e përditshme. Gjerman në jetën profesionale. Pra përzgjedh më të mirën aty ku jam, por kjo nuk është sipas dëshirës, ky është një riorganizim i jetës në një kuadër më të madh.

Avantazhet unë i kam edhe me shtetësinë e dyfishtë. Grekët se si ia dalin gjithmonë t’i arrijnë disa përjashtime për veten. Si pasojë e kësaj i kam dy pasaporta. Në Tunizi tregoj pasaportën greke, dhe e di që tregtarët nuk tentojnë të ma hedhin. Popujt e vegjël e të varfër kanë një lloj solidariteti me njëri-tjetrin. Në Turqi tregoj pasaportën gjermane më mirë, se nuk di se çfarë mund t’i shkrepet ndokujt. A jam oportunist? Jo, besoj se e kam gjetur veten mirë me dy shtetësitë.

Kur pyetet për identitetin – çfarë jam unë grek, gjerman, i krishterë, ateist? Karta ime e identitetit me ato pak të dhëna duket se e di kush jam. Por identiteti për mua nuk është një gardh, pas të cilit ndjehesh i sigurtë, por rezultati i një udhë jetësore, që rrjedh nga origjina drejt vendit ku jeton. Në fund të fundit identiteti im ngjizet nga ajo që kam bërë apo nuk kam bërë. Por kush do ta dijë këtë…Në fund vlen përvoja. Nganjëherë bashkëqytetarët e mi gjermanë mendojnë se jam holandez nga theksi, nganjëherë më thonë se jam korsikan nga ngjyra e zezë e flokëve, për shkak të preferencës sime për grapa më thonë edhe italian. Nuk ka problem. Për sa kohë nuk më japin ndjesinë, se në këtë vend jam i diskriminuar apo i injoruar. Dhe këtë ata nuk e bëjnë për 35 vjet me radhë.

Por ylli im lindi me krizën greke në vitin 2010. Papritur u ktheva në një objekt kurioz tek të gjithë fqinjët. Më flisnin në rrugë, në dyqanin e bukës, madje nga disa fqinjë të fisëm u ftova edhe për darkë. Të gjithë donin të bisedonin me mua për zgjidhjen e enigmës greke, të gjenin një shpjegim të kuptueshëm për krizën. Në fakt deri më sot unë as për vete nuk e kam zgjidhur këtë enigmë.

/Alexander Andreev, Robert Schwartz, Spiros Moskovou janë redaktorë në Deutsche Welle e drejtues respektivisht të redaksisë bullgare, rumune dhe greke.

Marketing