Në Indi ekziston një qytet “utopik” me 25 mijë banorë, i quajtur Auroville, ku paraja, pushteti dhe feja nuk kanë asnjë vlerë.
Auroville u themelua në vitin 1968 nga një filozof indian dhe një grua franceze, dhe sot njihet si një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Qyteti është i ndarë në 4 zona: industriale, ndërkombëtare, kulturore dhe rezidenciale. Në Auroville prona është kolektive, ajo që bëhet nga banorët e këtij qyteti nuk mund të shitet dhe çdo aktivitet bazohet në vullnetarizmin. Çdo qytetar është i detyruar të punojë të paktën 5 orë në ditë për të mbështetur komunitetin, por nuk ka një ndarje të saktë të punës.
Qyteti është i vetë-mjaftueshëm për sa i përket energjisë, kjo falë energjisë diellore. Ai bazohet në bujqësinë organike dhe riciklimi është shumë i rëndësishëm. Sa i përket arsimit, shkollat janë falas dhe pa nota.
Në Auroville ekziston një zonë e dedikuar për meditimin dhe kërkimin shpirtëror, por nuk ka asnjë fe zyrtare – çdo qytetar është i lirë të predikojë besimin e tij, shkruan Revista Class.
Sidoqoftë, e vetmja formë e qeverisjes brenda qytetit është nga Këshilli i Auroville dhe Komitetet e Punës, që zgjidhen çdo 4 vjet dhe merren me çështjet më të rëndësishme administrative. Një organ tjetër është Kuvendi i banorëve, ku të gjithë mund të shprehin mendimin e tyre ose të bëjnë propozim.
Megjithatë, për t’u bërë qytetarë të Auroville, duhet të kaloni një proces mjaft kompleks pranimi, ku ka një vlerësim të kandidatëve. Faza e parë e vlerësimit përfshin kryerjen e një periudhe vullnetare në komunitet, e ndjekur nga një vit provë në të cilin kandidati nuk mund të largohet nga India dhe duhet të sigurojë shpenzimet e tij.