“Nomagas” përmbyll tenderin për zgjedhjen e realizuesit të gazsjellësit me Greqinë

Drejtori i Nomagas Muhamed Elmazi njofton se  Nomagas SHA Shkup sot përmbylli tenderin për zgjedhjen e realizuesit të punimeve ndërtimore për ndërtimin e gazsjellësit interkonektor midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ky projekt përfaqëson një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore në sektorin energjetik, jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Ai synon të sigurojë një burim alternativ të gazit natyror dhe diversifikimin e furnizimeve.

Marketing

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave ishte data 20 nëntor. Në tender morën pjesë pesë kompani, prej të cilave katër ishin të huaja dhe një ishte vendase. Nga ofertat e dorëzuara, një është nga një kompani vendase, dy janë nga kompani italiane dhe nga një ofertë nga kompani të Turqisë dhe Serbisë.

Procedura e tenderimit ishte e hapur dhe kompania që do të zgjidhet do të ketë një afat prej dy vitesh për ndërtimin e pjesës maqedonase të interkonektorit, me gjatësi prej 67 kilometrash. Pritet që deri në fund të vitit të përfundojë përzgjedhja dhe nënshkrimi i kontratave të nevojshme me kompaninë që do të realizojë punimet ndërtimore, ndërsa ndërtimi pritet të nisë këtë pranverë.

Finansimi për ndërtimin e interkonektorit është siguruar përmes kredive dhe granteve nga institucione financiare ndërkombëtare, duke përfshirë Bankën Evropiane të Investimeve (28.9 milionë euro), Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (44 milionë euro), një grant investimi përmes WBIF (9.9 milionë euro), si dhe asistencë teknike (grant 100%) përmes programit WBIF për mbikëqyrje, inspektime dhe mbështetje administrative për NOMAGAS SHA Shkup.

Gazsjellësi do të mundësojë jo vetëm transportin e gazit natyror, por edhe të hidrogjenit, duke kontribuar kështu në tranzicionin drejt energjisë së gjelbër dhe përmbushjen e standardeve evropiane.

https://www.facebook.com/share/p/15AzrB9uSs/

Marketing