Nuk ka paga për specializantët privat

Nuk ka paga por as buxhet të planifikuar për specializantët privat të cilëve iu premtua se nga muaji maj i këtij vitit do të marrin paga. Takimet e shumta mes tyre dhe ministrisë së Shëndetësisë nuk kanë pasur efekt pozitiv.

Marketing

Kontot e tyre bankare, vazhdojnë të jenë të zbrazura ndërkaq revolti tek ta sa vjen e shtohet. Në disa takime me përfaqësuesit e ministrisë së shëndetësisë u është thënë se problemi qëndron tek Fondi Shëndetësor dhe jo tek ministria, me çka rreth 100 specializantët privat i janë drejtuar Fondit Shëndetësor tre herë përmes letrave të shkruara:

“Apelojmë që dinamika e procesit të përpunimit të të dhënave dhe miratimit të mjeteve financiare të përshpejtohet, pasi për ne kjo është shumë me rëndësi. Presim përgjigje në afat sa më të shkurtë!

“Përpunimi i të dhënave po zgjat më shumë se që ishte e planifikuar dhe më shumë nga se na u premtua. Për ne është tepër me rëndësi kjo çështje të mbyllet, posaçërisht kur i marrim parasysh shpenzimet tona që kemi. Vetëm pagesa e semestrit të dytë për ne shkon deri në 1600 euro”.

Por edhe pas këtyre letrave të dërguara, Fondi ka heshtur. Në takimin e fundit në ministri specializantëve iu është thënë se problemi nuk qëndron tek Fondi por se duhet të njoftohet kryeministri nëse do të ketë miratim të buxhetit për pagesën e specializantëve. Ata tani përmes një deklarate me shkrim kërkojnë që kjo çështje të mbyllet.

“Atëherë ministri na tha: Ju jeni pjesa më kreative e shoqërisë sonë, ju patjetër të qëndroni në këtë vend! Duket sikur beteja jonë është në vetë fillimin e saj dhe jo në fund. Buxheti i premtuar nuk ekziston, ndërsa paga nuk kemi! Gjithë kohën kërkohet nga ne të kemi durim, ndërkaq besimi jonë tek institucionet sa vjen e bie.

Nuk duam të besojmë se entuziazmi jonë me të cilin i besuam ministrisë dhe premtimeve të tyre në fakt kanë qenë të çmendura. Lutemi për zgjidhje urgjente të këtij problemi. Sot, kur migrimi po bëhet gjithnjë e më i lehtë, mos sfidoni rininë që të ndërmerr hapa ndaj vendeve të botës në të cilën do të vlerësohen me të vërtetë dhe do të respektohen, atje ku askush nuk do të tallet me kontributin dhe durimin e tyre”, thonë specializantët.

Specializantët kërkojnë të dinë përse gjatë muajit maj të këtij viti ministri Filipçe iu tha atyre se buxheti i tyre veç më është në proces miratimi.

E kemi përshpejtuar procesin e gjetjes së mjeteve për pagesën e këtyre specializantëve. Dje pata takim me kryeministrin, bëhet fjalë për shumë prej 23 milion denarësh të cilat ne do i sigurojmë gjatë javës së ardhshëm apo pas saj. Besoj se nga muaji qershor do të paguhet rroga e majit”- deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Ky grup i specializantëve mbeti jashtë listës së specializantëve të tjerë që u përfshinë në pagesë, pasi ministria listën e kishte përpiluar përpara muajit mars të këtij viti, kur ky grup i specializantëve ishin regjistruar për studime.

Ndryshe, Maqedonia ka mungesë të theksuar të mjekëve. Gjithë vendi ka mungesë prej mbi 380 mjekëve, ndërsa vetëm në Shkup mungojnë rreth 150 mjekë të cilët duhet të ishin të angazhuar nëpër Klinikat e vendit.