Nuk ka raste të reja me Covid-19, në Klinikën Infektive mjekohen 12 persona

Nuk ka raste të reja me koronavirus në Maqedoni.

Marketing

Në Klinikën për Sëmundje Infektive gjatë ditës së sotme janë hospitalizuar 4 persona të prekur me Kovid-19, për të cilët ishte raportuar dje, mes të cilëve edhe një djalë 15-vjeçar. Kjo do të thotë se aktualisht në Maqedoni po mjekohen 12 njerëz, kurse pacientja e parë e prekur me koronavirus është shëruar dhe të hënën do të lëshohet në shtëpi.

Një nga pacientët e shtruar është nga Dibra, gjendja e tij është përkeqësuar dhe në mëngjes është kyçur në aparat për ventilim artificial me terapi të përshtatshme. Nga 8 pacientët e hospitalizuar, njëri është nga Shkupi dhe 7 nga Dibra. Ky qytet, bashkë me Qendrën Zhupë nga dje janë në karantinë, respektivisht është shpallur gjendje emergjente.

“Spitali i Dibrës është i organizuar, epidemiologë dhe infektologë nga Banja e Dibrës janë në dispozicion për të gjitha pacientët e këtij rajoni. Ata do të punojnë në një apo dy ndërrime, kurse vazhdimisht do të jenë në thirrje. Drejtori i spitalit është personi përgjegjës për tërë organizimin. Ka një pjesë të posaçme të Spitalit ku ka repart me dalje të veçantë, ku duhet të drejtohen dhe të paraqiten për kontroll pacientët e këtij rajoni të cilët do të ndjejnë simptoma të gripit. Më pas, epidemiologu do të vendosë nëse do të marrë mostra që duhet dërguar në Shkup”, theksoi ministri Filipçe.

Në koordinim janë edhe me MPB-në lidhur me nevojën e mbështetjes dhe ndihmës ndaj ekipit të mjekëve, në drejtim të zbatimit të mbikëqyrjes dhe izolimit të spitalit.

“Njerëzit janë të qetë, plotësisht e kuptojnë për çka bëhet fjalë. Është përforcuar ekipi i mjekëve, kurse nëse ka nevojë do të rritet numri i tyre me ekspertë nga Shkupi. Tashmë përzgjodhëm ekipin i cili u paraqit, i cili do të jetë në stend-baj dhe i cili do të shkojë nëse ka nevojë për këtë. Ata janë vënë në dispozicion për pacientët”, tha Filipçe.

Duke i përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Filipçe tha se në Shkup nuk ka rritje të numrit të personave në izolim. Bëhet fjalë për persona që kanë marrë pjesë në simpoziumin ku ishte ish-drejtorja e Klinikës së Dermatologjisë apo persona që kanë pasur kontakt me atë.

Në Dibër në izolim janë 21 persona të cilët kanë pasur kontakt me çiftin bashkëshortor të prekur me koronavirus dhe 24 të tjerë që kanë pasur kontakt me 4 dibranët të cilët sot pritet të hospitalizohen në Klinikën Infektive.

Ministri theksoi se mbi bazë të bisedave me anëtarët e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse do t’i propozojnë Qeverisë – qendrat tregtare të mbyllen krejtësisht, për shkak se në këto vende ka rrezik më të madh për përhapje të virusit.