Nuk ka shpërbërje të Kuvendit këtë javë, opozita i pret zgjedhjet e brendshme të LDK-së

Përderisa pritet thirrja për konsultime nga ana e presidentit të vendit për dalje nga situata e krijuar politike, në opinion është diskutuar edhe mundësia e shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës.

Marketing

Një nismë e tillë nuk do të ndodh këtë javë, së paku sipas dy partive më të mëdha opozitare në vend.

E problem për këtë po dalin të jenë zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në një prononcim për lajmi.net, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri është shprehur se as nuk është diskutuar një gjë e tillë brenda partisë.

“Jo nuk është diskutuar, ju e dini se LDK-ja është në përfundim të procesit të zgjedhjeve të brendshme të partisë dhe tani kjo nuk është larg”, tha Gaxherri për lajmi.net.

Ajo më tutje ka shtuar se për këto çështje do të flitet brenda LDK-së kur të zgjedhen strukturat e reja të partisë, madje duke e quajtur të pakuptimtë diskutimin për shpërbërjen e Kuvendit në këtë moment.

“Kur të përfundojë Kuvendi, të zgjidhet Këshilli i Përgjithshëm, do të ulemi, pra organet kompetente të marrin qëndrime të sakta sepse çështjet janë shumë serioze. Tani nuk ka kuptim të diskutohet për këtë pa i përfunduar çështjet brenda dhe pa u zgjedhur organet e partisë të cilat do ta marrin përgjegjësinë të merren me këto gjëra me rëndësi për vendin”, tha Gaxherri për lajmi.net

Ndërkohë, edhe nga Lëvizja Vetëvendosje po ndihen të kushtëzuar nga zgjedhjet e brendshme të LDK-së për një nismë të tillë.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Ismajl Kurteshi për lajmi.net është shprehur se javën e ardhshme do të ndërmerret diçka, por se sipas tij, edhe kjo temë lidhet me zgjedhjet e brendshme të LDK-së.

“Ne jemi gati, shumë gati të bëjmë një gjë të tillë, besoj që javën e ardhshme do të ndodh diçka, përsëri po lidhet me LDK-në derisa t’i përfundojnë zgjedhjet sepse janë të fokusuar atje, pastaj të ndërmarrim hapa që të dalim nga kjo situatë”, tha Kurteshi për lajmi.net.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur takimet e tij konsultative me partitë politike për të gjetur një formulë të dilet nga kriza politike që e ka goditur Kosovën.

Ndërkohë, Kryetarja e Këshillit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka është shprehur se nuk mund të flitet për zgjedhje pa u shteruar mundësitë kushtetuese.

“Është diskutuar për afatet kushtetuese në qoftë se mbahen zgjedhjet. Se sa do t’i kushtojnë buxhetit, diskutohet pasi të shpallen zgjedhjet. Ky nuk ka qenë vit i rregullt zgjedhor, prandaj edhe nuk e kemi pasë buxhetin e nevojshëm”, ka deklaruar kryetarja e KQZ-së.

Partitë politike në Kosovë janë shprehur të gatshme për shkuarje në zgjedhje të parakohshme dhe sipas tyre kjo është zgjidhja e vetme.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese vendimin e tij të dorëheqjes – se a ka të drejtë të ushtroj pozitën e tij deri në zgjedhje apo jo.

E sot, nga Kushtetuesja për lajmi.net kanë treguar se vendimi i tyre mund t’i vonohet deri në dy muaj, ish-kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj.

Marketing