“Nuk konfirmoi ardhjen as për ditën e çlirimit të Kosovës”, thellohen përplasjet Kurti-Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qëndruar sot për vizitë në Prishtinë. Ai ishte i ftuar nga LDK në konferencën “Rugova dhe Perëndimi”. Përveç kësaj, Rama u prit në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani por edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, por një takim të tillë nuk e realizoi me homologun e tij, Albin Kurti. As në agjendën e Ramës por as në të Kurtit, sot nuk figuronte ndonjë takim mes palëve. Si rrjedhojë, duket që përplasja mes tyre është thelluar.

Marketing

Një reagim për këtë e kanë dhënë nga zyra e kryeministrit Kurti, zëdhënësi, Përparim Kryeziu ka konfirmuar se ka pasur një ftesë që Rama të marrë pjesë në aktivitet që shënojnë 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës më 12 qershor, por që ky i fundit nuk e ka pranuar.

Ftesa sipas Qeverisë Kurti është refuzuar nga ana e Ramës, shkruan Insajderi.

“Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor. Ai është i mirëseardhur që t’i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore”, thuhet në reagim.

Në reagimin e qeverisë nuk ka munguar edhe ironia kundrejt Ramës, duke thënë “Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të qeverisë së Kurtit”.

Rama ka qenë i pranishëm në konferencën “Rugova dhe Perëndimi” të mbajtur këtë të hënë në Prishtinë në nder të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit.

Pjesë nga fjalimi i tij u lexuan edhe si thumba ndaj kryeministrit Kurtit, ku Rama mes tjerash thotë “Rugova na kujton sa të vegjël jemi, nuk bëjmë dot pa aleatët e mëdhenj”.

Theksojmë se Kurti sot është pyetur nga gazetarët nëse do të takohet me Ramën, por ky i fundit i iku përgjigjes direkt duke thënë se kemi seancë nga ora 10:00.