Nuk respektuan uljen e çmimeve,Inspektorati i tregut mbyll edhe pesë markete

Edhe pesë marketeve të tjera iu vu dryni. Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut thonë se duke iu falënderuar denoncimeve të qytetarëve se disa markete nuk kanë ulur çmimet e produkteve ushqimore masat kanë qenë të menjëhershme ku rezultuan me gjobë vënie dhe mbyllje të marketeve në Kavadar, Tetovë, Gostivar dhe Kumanovë. Aktualisht shkon në 10 pika te shitjes në vend më mbyllje për 5 ditë.

Marketing

Produktet ushqimore dhe pijet që janë përfshirë në vendim, tashmë janë shënuar në markete me shenjën e kuqe që thotë “çmimi i garantuar”, por në shitoret e lagjeve pothuajse fare nuk respektohet.

“E kemi përmendur disa herë se të gjithë duhet të respektojnë ligjet dhe vendimet e qeverisë. Gjithashtu, nuk do të lejoj askënd që të manipulojë dhe mashtrojë konsumatorët! U bëjmë thirrje të gjithë tregtarëve se nuk do të ketë asnjë kompromis apo përzgjedhje në veprimet e inspektoratit të tregut, kur është në pyetje interesi i qytetarëve! Denonconi çdo parregullsi nga celulari në numrin pa pagesë 191”, njoftojnë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.

Gjobat vijnë pasi u ulën dhe u ngrinë çmimet e 24 kategorive ushqimore, si buka, qumështi, kosi, orizi, makaronat, mishi, kaçkavalli, djathi dhe fruta perimet. Prej ditës së djeshme është në fuqi edhe masa për çmimet e ngrira të pijeve joalkoolike dhe birrës së lehtë. Vendimi do të jetë në fuqi deri më 30 nëntor, masë e cila sipas autoriteteve pritet të ulë inflacionin e ushqimeve deri në 5% deri në fund të vitit.

Për të mos mjaftuar këto vendime, mëngjesin e së enjtes, Qeveria solli edhe një vendim për ulje me 10% të detyrimeve doganore për importin e frutave dhe perimeve nga 65% në 55%, përkatësisht 45% që hynë në fuqi menjëherë dhe do të vlejnë deri më 28 shkurt. Por në përjashtim të domateve, trangujve dhe specave, për të cilat vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 dhjetori, duke iu lënë afat tregtarëve për furnizime.

“Është mirë që ka rritje të eksportit të prodhimeve bujqësore vendore, por tregu primar duhet të jetë i yni. Tregtarët tanë, prodhimet e blera nga buqit tanë i shesin me çmime më të larta në vendet fqinje, që do të thotë se vend ynë humb dy herë, eksportohen prodhime të subvencionuara në Serbi dhe Kosovë kurse mungesa plotësohet duke importuar nga Greqia dhe Turqia, për të cilën paguhet një doganë prej 65% dhe kjo ndikon që një fryt nga 100 denarë të shtrenjtohet në 165 denarë për kilogram, pa marzhë fitimi”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Ndërkaq, nga Ministria e Financave kumtojnë që sot kanë zgjeruar gamën e produkteve ushqimore mbi 1.600, të cilat tatimohen vetëm me 5% TVSH. Të gjitha produktet ushqimore bazë, të cilat konsumohen çdo ditë nga qytetarët do të blihen me çmime më të lira, duke përfshirë dhe peletit për ngrohje gjatë dimrit.

Sipas ndryshimeve në Ligjin për TVSH-në, artikujt ushqimorë luksoz që nuk përfshihen në dieta dhe konsumohen rrallë, do tu rritet tatimi në 10%. Ata që hanë mishin e drerit, peshkut salmon, kavjarit, ngjalave, djathit blu, djathit të llojit karamel, farave e lirit, vajit të palmave dhe kokosit, frutave tropikale si papaja, mango dhe avokado etj, do të tatimohen me këtë normë me synimin për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Financave. /Alsat.mk