Numër rekord i të prekurve nga fruthi

Numër alarmant i të prekurve nga fruthi. 134 persona janë regjistruar gjatë javës së kaluar. Nga Instituti për shëndet publik thonë se ky është numri më i madh i të prekurve në krahasim me javët tjera. 48 pacientë janë nga Shkupi, 25 nga Struga, 23 nga Kumanova dhe qytete tjera. Ndërkaq numri më i madh i të prekurve janë mbi moshën 30 vjeçe.

Marketing

Sipas epidemiologes, Gordana Kuzmanovska, kjo ndodh ngaqë personat deri në moshën 30 vjeçare kanë marrë vetëm nga një dozë vaksine kur kanë qenë fëmijë, dhe nuk kanë imunitet sa duhet.

“Në këtë javë, faktikisht javën paraprake numri i të sëmurëve shënon 134. Mund të them se në 10 javët e kaluar numri i të infektuarve në kontinuitet ka qenë rreth 100, megjithatë ky është numri më i madh i të prekurve deri tani, që kur ka filluar epidemia”, potencoi Gordana Kuzmanovska nga Instituti për Shëndet Publik.

Ndonëse nga Instituti për shëndet publik thonë se numri më i madh i të prekurve është në moshë madhore, Ministri i shëndetësisë thotë se epidemia e fruthit ka gjasa të ulet pas mbarimit të vitit shkollor. Ndërsa vlerëismet janë se epidemia do zgjasë deri në fund të këtij viti, thotë ai.

“Sot patëm një takim të shkurt me epidemiologët në Ministri. Pritshmëritë janë se është e mundur që të ketë ulje në numrin e të prekurve, pas mbarimit të vitit shkollor”, theksoi Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Nga instituti për shëndet publik njoftojnë se fruthi është përhapur në gjithsej 22 komuna apo qytete. Që nga fillimi i epidemisë së fruthit janë shënuar gjithsej 1524 raste. Ndërsa që kur ka filluar vaksinimi nëpër shkolla janë vaksinuar 25 800 fëmijë.

Ndryshe në lidhje me masën që ka sjellë Ministria e Shëndetësisë, që fëmijët e pavaksinuar mos të regjistrohen në shkollë dhe çerdhe ka reaguar edhe Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi. Ky komision konsideron se nuk ka diskriminim pasi që masa ka një qëllim legjitim, objektivisht të justifikuar, në përputhje me nenin 5 pika 8 të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Marketing