Numri i shqiptarëve në Shkup, Tetovë e Gostivar në statistikat e vitit 1908 (Dokument)

Kjo statistikë që shihni më poshtë, e botuar nga media kosovare mendohet se është realizuar bazuar në një dokument të hartuar nga pushteti i kohës, pra Perandoria Osmane…

Marketing

Sipas saj, në Shkup para një shekulli kanë jetuar 50.258 shqiptarë, 9264 serb dhe 29080 bullgarë (asnjë maqedonas, siç quhen sot).

Tetova ka pasur 52076 banorë shqiptarë, ndërsa Gostivari 23197 shqiptarë. Po ashtu, edhe në këto të dhëna përdoret termi bullgarë për banorë sllavë.

Tuzi ka qenë qytet me 100 për qind banorë shqiptarë. E njëjta vlen edhe për Kaçanikun. Prishtina kishte 60968 shqiptarë e 11093 serbë. Peja kishte 50440 shqiptarë e 13303 serbë.

Prizreni kishte 64569 shqiptarë, 17219 serbë e asnjë turk. Ndërsa, Gjakova kishte 70963 shqiptarë e 687 serbë.

Në tabelë mund të gjeni edhe të dhënat për qytetet tjera të Vilajetit të Kosovës, përfshirë numrin e banorëve sipas kombësisë dhe përqindjen. Në të gjitha qytetet shqiptarët përbënin shumicën.

Dihet tashmë se në Kosovë, por edhe në Shqipëri, është vënë në diskutim raporti i Shqipërisë së atëhershme dhe pushtimit osman.

Në Kosovë sidomos ka zënë vend teoria, sipas të cilës “pushtimi osman ka pasur diçka pozitive për kombin shqiptar, sepse e ka mbrojtur kombin shqiptar nga një rrezik më i madh që ishte rreziku sllav”.

Shkrimtari ynë më i njohur në botë, Ismail Kadare e quan këtë teori një “filozofi e robërisë”.

“Të gjithë popujt e Ballkanit pësuan një dramë të përbashkët dhe në këtë dramë nuk ka pse populli shqiptar të bëjë befas një përjashtim, sepse nuk ka pasur kurrfarë përjashtimi në fatin e tij.

Populli shqiptar ka qenë më i ashpri kundër Perandorisë Osmane, për vetë faktin se shqiptarët u bënë pengesë kryesore për depërtimin e Perandorisë Osmane deri në Itali. Sllavët vetë ishin për faqe të zezë, gjendja e tyre ishte më e defavorizuar se e shqiptarëve.

Atëherë: nga cilët sllavë na mbrojti Perandoria Osmane? Si na mbrojtën ne turqit nga sllavët? Kjo është e pabesueshme, nga ana logjike, nga ana psikologjike. Për mua e gjitha është groteske, e paimagjinueshme, nga fillimi deri në fund,” – tha Kadare në një intervistë në Gjermani me gazetaren Mimoza Kelmendi botuar më herët në DITA.

Çka ka ndodhur midis Ballkanit dhe Perandorisë? Çka ka ndodhur midis të dyve dhe Europës? Përse në këtë vit të fundit të mijëvjeçarit, bashkë me ballkanasit që rrinë kokulur përpara zonjës-nënë të tyre të dikurshme, Europës, duke pritur që ajo t’i pranojë në shtëpinë e vet , ka zënë radhën e po pret të hyjë edhe Turqia, bërthama e Perandorisë së lemerishme Otomane, ajo që ishte betuar mbi Kuran e mbi shpatë se do t’i shembte kulm e themel Europës së krishterë? Ç’ka ndodhur?– pyet Kadare në veprën “Arti si mëkat”, e dalë në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”./DITA/

Marketing