Viti 2017 ka qenë viti me numrin më të madh të vrasjeve të regjistruara në mbarë vendin gjatë katër viteve të fundit. Nga 83 vrasje sa kanë ndodhur gjithsej gjatë kësaj periudhe, 27 janë regjistruar vetëm gjatë vitit 2017, njofton Ministria e Punëve të Brendshme. Ky numër është për 10 më shumë sesa viti paraprak dhe viti pasardhës 2018.
Në vitin 2015 në 8 sektorët për punë të brendshme janë regjistruar 22 vrasje, në vitin 2016 numri ka rënë në 17, ndërsa po aq vrasje janë regjistruar edhe në vitin 2018.
Nga qytetet e vendit gjatë katër viteve bashkë numri më i madh i vrasjeve kanë ndodhur në kryeqytet apo 27 gjithsej, ndërsa e dyta me radhë është Tetova me 14 vrasje gjatë viteve 2015, 2016, 2017 dhe 2018. Pas tyre vijnë Ohri dhe Manastiri me nga 11 vrasje të gjatë po të njëjtës periudhë kohore, ndërsa rajoni që mbulon Sektori për Punë të Brendshme Shtip gjatë katër viteve ka regjistruar vetëm 3 vrasje. Numri më i madh i vrasjeve në rajonin e Shkupit janë regjistruar në vitin 2017 gjithsej 11, ndërsa nga 6 vrasje në kryeqytet ka pasur në vitin 2015 dhe vitin 2018.
Në rajonin që mbulon Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë në vitin 2015 janë regjistruar 7 vrasje që është numri më i lartë gjatë atij viti nga të gjitha rajonet e vendit, ndërsa po të njëjtin vit në rajonin e SPB Shkup ka pasur një vrasje më pak, shkruan SHENJA.
Në të njëjtin vit në Manastir dhe në Shtip nuk ka pasur asnjë vrasje, në rajonin e SPB Strumicë dhe në Velez nga një vrasje, në Ohër 4 vrasje dhe në Kumanovë 3. Në vitin 2016 në SPB Kumanovë dhe në Shkup janë evidentuar nga 4 vrasje, në Manastir 3, në Tetovë dhe Strumicë nga 2, në SPB Ohër dhe Velez nga 1 dhe në Shtip nuk ka pasur asnjë vrasje.
Pas Shkupit, raporton SHENJA, në vitin 2017 rajoni me më shumë vrasje ka qenë ai të cilin e mbulon SPB Manastir me 5 vrasje, ndërsa gjatë këtij viti të paktën nga një deri në 3 vrasje kanë ndodhur në të gjitha rajonet e tjera të vendit. Viti 2017 është viti i vetëm kur asnjë rajon policor nuk ka kaluar pa asnjë vrasje të regjistruar. Në vitin 2018 është evidentuar ulje drastike e vrasjeve në të gjitha rajonet.
Gjatë vitit të kaluar ka prirë Shkupi por me 6 vrasje gjithsej, i pasuar nga Manastiri dhe Ohri me nga 3 vrasje, Tetova me 2, Kumanova me një vrasje, ndërsa vetëm në rajonin e SPB Strumicë dhe SPB Velez vitin e kaluar nuk ka pasur asnjë vrasje. Siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë katër mujorit të parë të këtij viti në mbarë vendin janë regjistruar tre vrasje dhe janë paraqitur tre kryers të këtyre veprave. Policia ka shënuar për 4% rënie të nivelit edhe tek vjedhjet në vitin 2018 krahasuar me vitin paraprak. Në vitin 2017 në mbarë vendin ka pasur 11.229 vjedhje, ndërsa në vitin 2018 numri i vjedhjeve të kryera ka rënë në 10.788.