Nuredini: Jemi të përkushtuar për uljen e 51% të gazrave serë deri në vitin 2030 në Marrëveshjen e Parisit

“Me kënaqësi të veçantë informoj se në seancën e djeshme Qeveria miratoi Kontributin kombëtar të rishikuar në Marrëveshjen e Parisit për klimën, të propozuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor,me të cilën si synim kombëtar vendosi ambicien që në vitin 2030 të arrihet ulje prej 51% të emisioneve të gazrave serë krahasuar me emisionet e vitit 1990 “, tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini.

Marketing

Ky dokument strategjik përfaqëson një kontribut të ri, më ambicioz në përpjekjet globale për të ulur emetimet e gazrave serë dhe është përqëndruar në zbutjen e ndryshimeve klimatike.

“Aspekti pozitiv i miratimit të këtij kontributi kombëtar ambicioz të rishikuar është përforcuar nga fakti se ai përcakton kontributin e vendit në zbatimin e Agjendës së gjelbër të BE-së dhe Planit të Investimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe mund të shërbejë si instrument për investime të zgjeruara,” shtoi Nuredini.

Në paraqitje janë përfshirë rezultatet e analizave për potencialin e zvogëlimit të emetimeve të gazrave serë, me ç’ rast janë analizuar gjithsej 63 politika dhe masa të zbutjes në sektorët:

Energji (përfshirë furnizimin me energji, sektorin rezidencial, sektorët jospecifik, industrinë dhe transportin),
Bujqësi,
Pylltari dhe përdorim tjetër i tokës,
Mbeturina dhe
Masa shtesë (duke mundësuar masa zbutëse).
Kontributi kombëtar i rishikuar në Marrëveshjen e Parisit është një reflektim i Skenarit të gjelbër të Strategjisë së zhvillimit të energjisë deri në vitin 2040 dhe është plotësisht në përputhje me Planin kombëtar të propozuar të energjisë dhe klimës.

Për më tepër, ai ka të bëjë me hartimin e Strategjisë Afatgjate, për të cilën Ministria aktualisht po kryen një proces të vlerësimit strategjik të ndikimit të rregullores, si dhe Ligjit për veprimin klimatik, versioni i parë i të cilit është duke u finalizuar.