Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, së bashku me zëvendësministrin e vetëqeverisjes lokale, Zoran Dimitrovski, sot në Prilep, morën pjesë në ngjarjen ku shefi i Delegacionit Evropian në Maqedoninë e Veriut, shkelqësia e tij, David Geer, kryetarit të komunës së Prilepit, Borçe Jovçevski, ia dhuroi çmimin “Komuna më e gjelbër 2021”.
Duke theksuar se qëllimi i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Qeverisë së RMV-së është zbatimi i parimit “zero mbetje” dhe vendosja e një ekonomie qarkore, me ç’rast mbeturinat do të përzgjidhen dhe përdoren si lëndë e parë dytësore, dhe vetëm një sasi e vogël e mbeturinave që realisht nuk ka vlerë përdorimi do të përfundojë në deponi, ministri Nuredini theksoi se projekte të tilla, të cilat motivojnë komunat për të zbatuar praktikat e mira dhe menaxhimin e mbeturinave vijnë në kohën e duhur.
– Gatishmëria dhe pjekuria e komunës për zbatimin e praktikave të mira në menaxhim, por edhe zhvillimin e shprehive të mira tek qytetarët, janë me rëndësi kyçe për vendosjen dhe funksionimin e suksesshëm të sistemit për menaxhimin e mbeturinave. Shpresoj që shembujt e mirë do të jenë motivues edhe për të gjitha komunat tjera në vend – tha Nuredini.
Ai shtoi se Qeveria dhe MMJPH kanë arritur të sigurojnë financim për ndërtimin e infrastrukturës bazë, pjesë të fondeve të BE-së dhe Programi IPA2, ndërsa në vijim është procedura për sigurimin e një kredie në vlerë prej 55 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Fondet janë në mënyrën e ndihmës direkte për komunat, por ata duhet të përgatiten sepse mirëmbajtja e mëtejshme e këtyre sistemeve është në dorën e tyre, për të cilët ato duhet të zhvillojnë kapacitetet e tyre në mënyrë që në të ardhmen të mund të menaxhojnë siç duhet deponitë rajonale të ndërtuara dhe gjithë infrastrukturën.
“Çmimi për komunën më të gjelbër” është promovuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, në kuadër të fushatës së tyre për ngritjen e vetëdijes dhe promovimin e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së, ndërsa Prilepi, në konkurrencë me tetë komuna të paraqitura (Berovë, Qendër (Shkup), Kavadar, Ohër, Pehçevë, Prilep, Tetovë dhe Zelenikovë), sipas bordit vlerësues, është vlerësuar si komuna që ka demonstruar më së miri praktikën mjedisore në fushën e menaxhimit të mbeturinave në vitin 2021.