Me iniciativën e Ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, u mbajt një takim online: “KOMUNIKIMI ME PUBLIKUN NË PROCESIN E SHPALLJES SË MALIT SHARR PËR PARK KOMBËTAR” me përfaqësuesit e organizatave të qytetarëve. Takimi kishte për qëllim të informojë për aktivitetet aktuale dhe të planifikuara brenda përfundimit të procedurës së shpalljes së Malit Sharr si një park kombëtar, pas pranimit të Nismës nga Qeveria e RMV.
Siç theksoi Ministri Nuredini në fjalimin e tij hyrës, pranimi i Nismës nga Qeveria e RMV do të thotë që tani më nuk ka vend për të shkuar mbrapa dhe do të thotë punë intensive dhe ambicioze për të përfunduar procesin, i cili kërkon bashkëpunim dhe partneritet të fortë të institucioneve me organizatat e shoqërisë së qytetarëve që punojnë në këtë fushë, subjektet ekonomike, popullsia dhe të gjithë palët e interesuara. Duke theksuar rëndësinë e përfundimit të procesit sa më shpejt dhe të krijimit të një sistemi për menaxhimin e zonës së mbrojtur, me çka do të mbrohet në mënyrë të duhur kjo trashëgimi natyrore, dhe nga ana tjetër do të hapen mundësi të reja për zhvillimin socio-ekonomik, Ministri Nuredini njoftoi se Drafti – Ligji që shpall Malin Sharr si një park kombëtar dhe dorëzimi i tij në Qeverinë e RMV duhet të ndodhë, më së voni deri në fund të shtatorit.
– Qëllimi i këtij takimi fillestar është të ulemi së bashku. Ekspertët tanë do t’ju informojnë se deri ku kemi arritur, çfarë planifikojmë të bëjmë në të ardhmen dhe të përpiqemi të punojmë së bashku për të arritur qëllimin e përbashkët, tha Nuredini, duke paralajmëruar transparencë të plotë dhe shkëmbimin e informacionit si mënyra më e mirë për të ndërtuar bashkëpunim të mirë, të forcojë ndërgjegjësimin publik dhe komunikimin me komunitetet lokale.
Nisma e këtij takimi fillestar ishte kryesisht në drejtim të thellimit të bashkëpunimit me shoqatat e qytetarëve që veprojnë në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, me qëllim të përfundimit të Planit të Komunikimit dhe zbatimit të tij të mëtutjeshëm, me ç rast do të krijonte një partneritet me shoqëritë е qytetarëve, përfshirja e tyre e hershme në procesin e komunikimit me publikun dhe angazhimi i një game të gjerë të palëve të interesuara në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të organizuar. Në takimin online morën pjesë përfaqësues të rreth 13 shoqatave qytetare, përfshirë këtu edhe shoqatat e alpinizmit.
Përndryshe, nisma për shpalljen e Malit Sharr për PK është realizuar në kuadër të projektit “Arritja e mbrojtjes së biodiversitetit duke krijuar dhe menaxhuar në mënyrë efikase zonat e mbrojtura dhe integrimin e biodiversitetit në planifikimin e përdorimit të tokës” të zbatuar nga Zyra e Projektit të UNEP-it . Për të realizuar procedurën e deklarimit, po përgatitet një Studim për Valorizimin e Malit Sharr, dhe është duke u zhvilluar përgatitja e një Plani për komunikim me palët e interesuara.
Në takim, u njoftua se do të nënshkruhet një Memorandum bashkëpunimi me palët e interesuara, i cili do të zyrtarizojë mënyrën e bashkëpunimit.