Nuredini për Ohrin: Nuk duhet të lejojmë të gjendemi në listën e pasurisë së rrezikuar

Dëgjuam edhe një alarm, duhet ta kuptojmë se ky është paralajmërim serioz dhe ne si pushtet qendror dhe lokal duhet të bëjmë gjithçka që nevojitet për ta mbrojtur statusin, jo vetëm për ne, por edhe për të ardhmen e vendit. Ai është atraksioni më i madh turistik në vendin tonë, konsideron ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini në lidhje me raportin e UNESKO-s për Ohrin dhe liqenin.

Marketing

Në Ditarin e TV Sitel ai tha se pas një viti e gjysmë nga vizita e ekspertëve të UNESKO-s të cilët kanë përgatitur raport, ka lëvizje përparuese dhe bashkëpunim me autoritetet lokale.

“Atë që e punojmë së bashku me ministritë e kulturës, transportit dhe lokale, me komunat e Ohrit, Strugës dhe Debërcës është me qëllim që të mos gjendemi në atë listë të pasurisë së rrezikuar. Nuk duhet ta lejojmë atë. Si individë, por edhe së bashku duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta parandaluar atë”, theksoi Nuredini.

Potencoi se MMJPH ka listë të ndërtimeve pa leje, por nuk është kompetencë për to. Një pjesë e objekteve janë rrënuar, por ende më shumë duhet të përfundojë.

“Është shumë e qartë se ajo që është ndërtuar në mënyrë ilegale është ilegale dhe nuk duhet të jetë atje. Është bërë shumë në letër, punë të cilat vlejnë para, por kemi bërë gjithçka që mundemi dhe kjo nuk guxon të mbetet në letër. Të gjithë që janë përfshirë duhet ta përfundojnë punën që të zgjidhet kjo”, tha Nuredini, sipas të cilit institucionet kompetente duhet të jenë të pranishme në terren dhe së bashku me autoritetet lokale t’i zgjidhin ato probleme, sepse, ndërtime pa leje ka pasur, ka dhe do të ketë.

Për mohimin e kryetarit të Strugës, Ramiz Merko se ka ndërtime të tilla në komunë e tij, ministri u përgjigj se duhet të dilet në terren që të shihet se në bregun e liqenit nuk ka ndërtime të paligjshme.

“Unë kam biseduar me të dhe ai më tha se nuk ka ndërtime të paligjshme pranë liqenit. Mendoj se ka edhe autoritete të tjera, inspektorë të cilët duhet të shkojnë dhe të bisedojnë që të shohin nëse vërtetë është kështu. Nëse është ashtu, duhet të pastrohet, nëse jo, atëherë së bashku me të dhe komunat duhet ta zgjidhim. Nuk duhet t’i veçojmë komunat, të gjithë janë bashkë në këtë. UNESKO nuk thotë se është problem i komunave, por thotë se ka ndërtime të paligjshme në zonën e liqenit. UNESKO nuk thotë se ku ndodhen saktë ato. Kjo është punë e jona si shtet, ne duhet t’i përcaktojmë”, tha Nuredini, duke shtuar se edhe nga partia e tij BDI edhe nga Qeveria ka mirëkuptim se gjithçka duhet bërë që të pengohet rrezikimi i statusit të Ohrit.

Ministria të cilën e udhëheqë është kompetente për aspektin e mjedisit jetësor dhe deri sot ka arritur ta vendosë Kënetën e Studençishtës në mbrojtje të përkohshme.

“Liqenin e Ohrit dhe Kënetën e Studençishtës i vendosim në listën e pasurisë së mbrojtur të RAMSA-s. Shtesë kemi punuar me institucionet lokale që ato t’i përgjigjen planit tonë të para një viti e gjysmë. Është e pakontestueshme se ka edhe shumë punë, duhet të punojmë më shumë”, shtoi Nuredini.