Nuredini: Po zgjerojmë bashkëpunimin me PONT edhe në PK “Mali Sharr”

Sot në Kodrën e Diellit është nënshkruar Marrëveshja e Grantit të Planifikimit në mes Fondit të Natyrës Prespa-Ohër (PONT) dhe NPPK Mali Sharr, me të cilën janë siguruar mjete shtesë të nevojshme për funksionimin e institutit publik të sapoformuar.

Marketing

“Bashkëpunimi i mirë ndërmjet Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Fondit të Natyrës Prespa-Ohër, që filloi në vitin 2018 me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë, rezultoi me ndihmën financiare nga PONT në valorizimin e trashëgimisë natyrore dhe përgatitjen e planeve të menaxhimit me zonat e mbrojtura, siç janë rastet me PK Pelister, PK Galiçica, Monument i Natyrës – Burimet e Vevçanit dhe Monumenti i Natyrës Liqeni i Prespës. Sot ky bashkëpunim po zgjerohet edhe në PK Mali Sharr dhe presim që do të krijohen kushte për zgjerim edhe në zona të tjera të mbrojtura, siç është PK Mavrovë dhe të tjera” – tha ministri Nuredini në fjalimin e tij.

Duke shprehur kënaqësinë për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit, Drejtoresha Ekzekutive e PONT, Miriam de Koning tha: “Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për PONT pasi që ne mund të fillojmë mbështetjen tonë për këtë zonë të re të mbrojtur, Parkun Kombëtar Mali Sharr të shpallur së fundmi. Ky park i rëndësishëm kombëtar është i përfshirë në rajonin më të gjërë ndërkufitar me zona të tjera të rëndësishme të mbrojtura në Shqipëri dhe Kosovë. Sot ne po nënshkruajmë grantin e planifikimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë do tpë vazhdojmë me grante shtesë”.

Duke theksuar se NPPK Mali Sharr si institut publik i sapoformuar është përballur me përgjegjësi të madhe dhe sfida të shumta duke pasur parasysh se që në fillim nënkupton sigurimin e hapësirave të përshtatshme dhe paisjen e tyre, përgatitjen e një sërë dokumentesh ligjore me të cilët vendosen themelet për funksionimin e institutit, deri në përgatitjen e sistematizimit dhe punësimit të stafit të nevojshëm, drejtori i NPPK Mali Sharr Ibrahim Dehari theksoi: “Vërtet, Qeveria e RMV-së na ka dhënë mjete për të filluar, por fondet e nevojshme për kompletimin e vetë institutit dhe vënien në punë të tij janë shumë më të mëdha. Për këtë arsye ne po bëjmë përpjekje për të siguruar fonde shtesë përmes projekteve dhe donatorëve që do të na mundësojnë të funksionojmë dhe të jemi të vetëqëndrueshëm”.

Me këtë grant të planifikimit do të sigurohet fuqizim administrativ i institutit, ruajtja e natyrës nga kërcënimet siç janë zjarret dhe aktivitetet e paligjshme si dhe vizibilitet më i madh i institutit, informim dhe bashkëpunim me popullsinë vendase.

PONT do të mbështesë gjithashtu edhe dy iniciativa qytetare lokale për të cilat janë nënshkruar marrëveshje me Qendrën për Edukim dhe Zhvillim (CED) nga Tearca për projektin “Mali Sharr më i mirë fillon me ju” që ka për qëllim identifikimin e burimeve potenciale sipërmarrëse në Parkun Kombëtar Mali Sharr dhe të veprohet në drejtim të shfrytëzimit të tyre nga vendasit për rritjen e kapaciteteve të tyre sipërmarrëse, dhe me Klubin e Alpinistëve “Ljuboten” nga Tetova për projektin “Info Qendra për Malin Sharr – lidhja ndërmjet aktorëve kryesorë në zonën e mbrojtur”.

PONT është një institucion privat, ligjërisht i pavarur që ofron grante që financojnë ruajtjen e qëndrueshme të natyrës. Granti i planifikimit siguron kontribute nga Qeveria gjermane, përmes PONT, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe donatorëve të tjerë.

Marketing