Sot, më 18 maj 2023, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe
Kulturore të Shqiptarëve, në kuadër të projektit Erasmus+, me qëllim
shkëmbimin e kulturave, kishin mundësinë që të bënin vizitë një grup
nxënësish të shkollës fillore “7 Marsi” të fshatit Opajë dhe nxënës të
shkollës “Alain Chartier” nga qyteti Bayeux, Francë, të shoqëruar nga
profesorët francezë: François Le Cardinal, profesor i letërsisë klasike,
Éric Goyer-koordinator dhe Laurence Lemarié, profesoreshë e
spanjishtes, si dhe ata shqiptarë: Besnik Ibrahimi-drejtor, Gëzime
Ramadani- profesoreshë e frëngjishtes, Agim Murtezi- pedagog, Afrona
Arifi- historiane. Gjatë kësaj vizite drejtori i Institutit, Skender
Asani, bashkë me këshilltarin shkencor, Sevdail Demiri dhe hulumtuesin
shkencor, Ardian Ramadani, i njoftuan mysafirët e rinj me rëndësinë,
punën, por edhe me vetë objektin e Institutit.
Duke i përshkuar ekspozitat e përhershme të Institutit për Nënë Terezën,
Kongresin e Drejtshkrimit dhe Kongresin e Manastirit, vizitorët kishin
mundësinë të njihen me disa nga momentet dhe figurat më të rëndësishme
historike për shqiptarët. Më pas, të mbledhur në sallën e madhe të
konferencave Woodrow Willson, përpara publikut me nxënës dhe profesorë,
drejtori Asani shprehu ndjenjat e tij të sinqerta, duke thënë se “është
kënaqësi e jashtëzakonshme kur Instituti trajton konferenca shkencore
për tema të ndryshme kulturore, historike e gjuhësore, por kënaqësi edhe
më e madhe se kjo është atëherë kur kemi vizitorë nxënës, e në veçanti
të shtetit të Francës, siç është rasti i sotëm, sepse në këtë mënyrë
kemi mundësinë t’i njoftojmë ata me trashëgiminë e shqiptarëve në
Maqedoninë e Veriut.”
Në drejtim të përshkrimit të marrëdhënieve mes francezëve dhe
shqiptarëve, drejtori gjithashtu bëri të ditur disa fakte të rëndësishme
historike, si për shembull atë se në shekullin e nëntëmbëdhjetë, shumë
udhëpërshkrues dhe diplomatë francezë kanë kaluar në trevat shqiptare, e
rrëfimet e tyre ndodhen në arkivat franceze, të cilat së shpejti do të
vizitohen nga Instituti për të mbledhur dokumentacionin e pasur, që e
ndihmon në përpjekjen për ta shkruar historinë e së kaluarës të
shqiptarëve.
Poashtu edhe profesori François Le Cardinal nga Franca, u shpreh se
ishte shumë i lumtur që ëndrra që kishte pasur i ishte realizuar, e
kështu ishte zhvilluar një shkëmbim i mirëfilltë eksperiencash mes
nxënësve të Francës dhe të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, vlerë të
veçantë përmban mundësia për të krahasuar dy realitetet shumë të
ndryshme të shtetit-komb mes këtyre dy shteteve, sepse kjo u ofron
nxënësve një diapazon më të gjerë kuptimësie për vendet dhe kulturën e
popujve. Gjithashtu, ai veçoi virtytin e mikpritjes së shqiptarëve, duke
marrë parasysh edhe faktin se gjatë periudhës disaditore në shtetin
tonë, nxënësit nga Franca ishin akomoduar në shtëpitë e nxënësve të
shkollës “7 Marsi” në Opajë.
Në mbyllje të ngjarjes, nën moton “Njëri për tjetrin” drejtori i ndau
një mirënjohje profesorit François Le Cardinal për kontributin e tij në
promovimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, si dhe dhe i dhuroi
disa botime të Insitutit.